Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti numri i fluturimeve në Kosovë ka shënuar rritje për 60%. Vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti kanë qenë mbi 2 mijë operime, ku ky numër është mbi 43 përqind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Mirëpo, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) po vuan mungesën e kontrollorëve të trafikut ajror pasi vetëm viteve të fundit 10 të tillë janë larguar nga Kosova për shkak të kushteve më të mira në vendet e tjera. Kjo po rrezikon seriozisht shërbimin 24 orësh që ofron aktualisht ASHNA.
Zëdhënësi i ASHNA-s, Driton Ujkani, deklaroi për KosovaPress se numrat e fluturimeve për periudhën janar-qershor të këtij viti janë rekord i ri. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë qenë rreth 4 mijë fluturime më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare të ASHNA-s, shifrat e këtij gjashtëmujori i kanë tejkaluar edhe ato të gjashtëmujorit të 2019-s që mbante rekordin për numrin më të lartë të operimeve për gjysmën e parë të vitit.
Mirëpo, rritja e numrit të fluturimeve do të thotë më shumë punë për kontrollorët aktualë të trafikut ajror të ASHNA-s të cilët janë të paktë në numër. Viteve të fundit kanë ikur dhjetë kontrollorë në vendet e tjera në të cilat iu ofrohen kushte më të mira pune.
Ujkani pranoi se rreziku i ikjes së punëtoreve është i lartë dhe sipas tij nëse vazhdon një trend i tillë, ASHNA-së i pamundësohet ofrimi i shërbimit 24 orësh.
Ujkani tha se deri në licencimin e një kontrollori të trafikut ajror nevojitet përgatitje që zgjat një vit e gjysmë, ku kostoja shkon rreth 300 mijë euro për një kontrollor.
Ndryshe nga mungesa e kontrollorëve të trafikut ajror, ASHNA ka arritur të realizojë disa investime të rëndësishme në teknologji për të rritur sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve të saj.
Ndryshe, ofrimi i sigurtë i shërbimeve të navigimit ajror për shfrytëzuesit e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës mbetet edhe mision parësor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror./KP/