Sot shënohet Dita Botërore e Mbipeshës. Merita Emini-Sadiku, interniste-endokrinologe, theksoi se 60% e popullatës në Kosovë është mbipeshë ose obez, e që sipas saj është shifër goxha e lartë.
Ky fenomen, sipas doktoreshës, është më i theksuar te vajzat e gratë, sidomos në moshën e menopauzës, kur fillojnë ndryshimet hormonale, ndërsa te djemtë e burrat është i theksuar më pak.
Ajo tha se edhe Kosova ashtu si vendet e zhvilluara ka filluar të ndjekë për të keq shtimin e peshës së popullatës, nga moshat fëmijërore deri tek adultet dhe moshat e pjekura.
“Po ashtu, po ndryshon edhe ambienti, që ne e quajmë obezogjen, që po i nxit njerëzit të shtojnë peshë, duke u nisur nga sisteme të ndryshme qoftë ato mediatike, qoftë ushqimet më të bollshme e më të lira”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se kjo vjen nga mosaktiviteti fizik, oraret e gjata të punës, moskushtimi i rëndësisë të shëndetit individual qoftë të fëmijës apo vetvetes si prind.
“Nga sëmundjet shoqëruese me obezitet mund të komplikohen diabeti, tensioni i lartë, sëmundjet kardiake dhe ato të organeve të ndryshme respiratore”, shtoi doktoresha Merita Emini Sadiku. /RTKlive