Konflikti i përgjakshëm në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 638-të, ndërsa të paktën 29 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore dhe të artilerisë të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga agimi i sotëm.
Lajmi u bë i ditur nga burime spitalore në Gaza dhe u raportua nga rrjeti Al Jazeera dhe agjencia palestineze Wafa.
Sulmi më i rëndë ka ndodhur në zonën Al-Mawasi, në perëndim të Khan Younis, ku forcat izraelite goditën tenda që strehonin civilë të zhvendosur. Si pasojë e këtij sulmi, shtatë persona u vranë dhe mbi 10 të tjerë mbetën të plagosur, në atë që banorët lokalë e kanë cilësuar si “masakër”.
Në një tjetër incident tragjik në perëndim të Khan Younis, një baba dhe djali i tij i vetëm humbën jetën si pasojë e një sulmi ajror.
Ndërkohë, zhvillimet diplomatike kanë shënuar një kthesë të rëndësishme. Sipas mediave të Katarit, Hamasi ka pranuar propozimin e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, por ka kërkuar disa ndryshime të vogla në draftin fillestar.
Përfaqësues të Hamasit deklaruan se janë “plotësisht të gatshëm të nisin menjëherë një raund negociatash” me qëllim finalizimin e marrëveshjes.
Nga ana tjetër, Izraeli, pas marrjes së përgjigjes nga Hamasi, është shprehur gjithashtu i hapur për rifillimin e bisedimeve indirekte, duke rritur shpresat për një ndalim të përkohshëm të luftimeve.