Bekim Berisha (15 qershor 1966 – 10 gusht 1998) i njohur me nofkën e luftës Abeja ishte njëri prej komandantëve më aktiv të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Lindi më 15 qershor 1966 në fshatin Grabovc të Komunës së Pejës dhe ra dëshmorë më 10 gusht 1998 në Betejën e Junikut. Ishte njëri ndër luftëtarët më të dashur jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por në mbarë opinionin liridashës të Kosovës. Mori pjesë në Luftërat e Kroacisë dhe Bosnjës, dhe më vonë në Luftën e Kosovës. Pas përfundimit të Luftës në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e gradoi me gradën Gjeneral–Major.
Bedri Shala (2 qershor 1969– 10 gusht 1998), në fshatin Gjergjicë të komunës së Drenasit (ish-Gllogoc) ishte njëri nga gjeneralët e UÇK-së. Edhe pse i ri në moshë, për shkak të rrethanave të persekutimit dhe përndjekjes kishte kaluar në mërgim, nga afër kishte përcjellë përgatitjet për fillimin e luftës dhe qënë fillet e saj ai ishte brenda Kosovës, ai ishte bashkë me Abejën, sa në Drenicë, sa në Dukagjin, e sa në Shqipëri. Aq sa ishte në vijat e frontit, po aq edhe në linjat e furnizimit e organizimit. Ai ra heroikisht siç, bien heronjtë e kombit.
Elton Gëzim Zherka (19 gusht 1977– 10 gusht 1998) ishte luftëtar i denjë dhe epror i dalluar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Më18 prilli 1998, së bashku me 12 djem gjakovarë inkuadrohet në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit, përkatësisht në fshatin Gllogjan që ishte vullkani i gjithë ngjarjeve dhe luftimeve për Rrafsh të Dukagjinit. Lufta dhe heroizmi i tij i fundit, është ai në Luftën e Junikut, të datës 10 gusht 1998, ku në një luftë të ashpër, ballë për ballë me forcat serbe, bie në altarin e lirisë.
Permet Vula (8 prill 1978 – 10 gusht 1998) ishte ndër të parët luftëtarë nga Gjakova që iu bashkangjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan të Deçanit. Ishte dita e 18 prillit 1998 kur Permet Vula u inkuadrua në këto radhë, në fillim si ushtar fronti, në Njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit. Në luftën e ashpër që u zhvillua në Junik, bie në altarin e lirisë Permet Vula, bashkë me luftëtarët e tjerë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar këta dëshmorë në 26-vjetorin e rënies së tyre.
Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shprehet se këta dëshmorë ishin luftëtarë të paepur, që u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së.
“Sot në 26 vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula. Më 10 gusht të vitit 1998, këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut. Duke u vrarë në muajt e parë të luftës në Kosovë, Bekimi, Bedriu, Eltoni dhe Përmeti ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së. Lavdi Bekim Berishës – Abejës, Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”, shkruan i pari i qeverisë.“I lindur më 1966 në Graboc të Pejës, Bekim Berisha është luftëtari më i kulluar i luftës kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, si luftëtar i tri luftërave në Jugosllavi: fillimisht në Kroaci, pastaj në Bosnje e Hercegovinë dhe së fundi në vendlindjen dhe atdheun e tij në Kosovë. Me një përvojë jetësore të jashtëzakonshme dhe me njohuri të gjera e të provuara ushtarake, Bekim Berisha – Abeja, ishte një nga luftëtarët më të fuqishëm dhe kreativ mes luftëtarëve të UÇK-së. Më 10 gusht 1998, ai u vra në luftime me forcat serbe bashkë me Bedri Shalën, një djalë trim 29 vjeçar nga Gjurgjica e Drenicës. Ashtu siç kishin luftuar bashkë edhe në Jasiq dy javë më parë më 26 korrik, Bedri Shala dhe Bekim Berisha luftuan edhe në mbrojtje të Junikut, duke rënë dëshmorë të kombit në të njëjtën betejë, më 10 gusht 1998”.“Djalë nga Gjakova, i lindur më 1977, Elton Zherka u përjetësua mes dëshmorëve të lirisë, nëntë ditë para se të bëhej 21 vjeçar. Sportist i dalluar i arteve dhe sporteve marciale, Eltoni ishte mobilizuar në UÇK bashkë me dymbëdhjetë vullnetarë të tjerë, më 18 prill 1998. Mes tyre ishte edhe Përmet Vula po nga Gjakova, që sapo ishte bërë 20 vjeçar kur e veshi uniformën e UÇK-së. I përgatitur fizikisht nga aktiviteti i tij si peshëngrtiës dhe futbollist, bashkë me Eltonin u rreshtuan në njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit dhe luftuan bashkë për liri deri në vdekje”, tha kryeministri Kurti.
“Dëshmorët e kanë datën e rënies së tyre heroike që nuk është thjesht ditë e vdekjes, por është ditë e ndërrimit të jetës, që i dha jetë e liri popullit tonë.”