26-vjetori i masakrës së Reçakut, Abdixhiku: Rikujtim i përjetshëm i çmimit që pagoi populli ynë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe sot në Reçak.

Në 26 vjetorin e kësaj masakre, ai ka thënë se kjo ngjarje rikujton çmimin që populli i Kosovës pagoi për liri dhe shtetësi.

“Ky krim mizor është më shumë se një akt brutal dhe një dhimbje kombëtare; është një rikujtim i përjetshëm i çmimit që pagoi populli ynë për liri dhe shtetësi, dhe sakrifica që mundësoi krijimin e shtetit tonë të pavarur dhe realizimin e ëndrrës kombëtare për lirinë që e gëzojmë sot”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Postimi i tij i plotë:

Në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit 1999, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kryen një nga aktet më të rënda të historisë së vonshme njerëzore. 45 civilë shqiptarë – burra, gra, të moshuar dhe fëmijë – u vranë e u masakruan brutalisht.

Ambasadori William Walker e cilësoi këtë masakër si një “krim kundër njerëzimit”, një akt që tronditi ndërgjegjen e botës dhe shënoi një pikë kthese në angazhimin ndërkombëtar për çlirimin e Kosovës.

Sot, 26 vjet më pas, kujtojmë me dhimbje e nderim sakrificën e viktimave të Reçakut dhe qëndresën e familjarëve e të mbijetuarve që bartin ende plagët e asaj tragjedie. Ky krim mizor është më shumë se një akt brutal dhe një dhimbje kombëtare; është një rikujtim i përjetshëm i çmimit që pagoi populli ynë për liri dhe shtetësi, dhe sakrifica që mundësoi krijimin e shtetit tonë të pavarur dhe realizimin e ëndrrës kombëtare për lirinë që e gëzojmë sot.

Në këtë përvjetor, të gjithë ne kemi detyrimin moral ta mbajmë gjallë kujtesën e Masakrës së Reçakut dhe të angazhohemi për të mbrojtur vlerat mbi të cilat u ngrit Kosova. Lavdi përjetë viktimave të Reçakut dhe gjithë atyre që u flijuan për lirinë tonë!/Express

Read Previous

Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës

Read Next

Trump: Do të fillojmë të vendosim tarifa ndaj atyre që përfitojnë nga tregtia me vendin tonë