25-vjetori i masakrës së Mejës, ritheksim i mohimit të krimeve nga Serbia

Kryefjalë e ceremonisë përkujtimore e 25-vjetorit të Masakrës së Mejës në Gjakovë ka qenë përtej mungesës së kërkimfaljes nga Serbia, edhe tentativa e vazhdueshme për përgënjeshtrim të krimeve të kryera në Kosovë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës”,

“Meja është testament i dhimbjes së vazhdueshme në çdo shtëpi të Kosovës. Lëndina e pikëllimit është vendi i së vërtetës sonë, rrëfimi i trishtë për 376 fate njerëzore, është Srebrenica e Kosovës. Ky vend është thirrja jonë më e fuqishme për drejtësi, është personifikim i rrugës së vështirë dhe sakrificës nëpër të cilën kemi kaluar si popull. Masakra e Mejës duhet të vazhdojë të jetë njolla më e përgjakshme në ndërgjegjen e urdhërdhënësve dhe kryerësve të kësaj masakre të tmerrshme, që ka dëshmuar qëllimin e atij regjimi për shfarosje të popullit shqiptar”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për shqiptarët stina e pranverës është stinë përkujtimore për masakrën e Mejës.

“Ju e keni të freskët mëngjesin e atij viti kur forcat paramilitare e ushtarake të Serbisë, i dëbuan civilët nga fshatrat e Gjakovës. Të dëbuarit i drejtuan nga Meja ku i plaçkitën dhe gratë e fëmijët i drejtuan për në Shqipëri, ndërsa burrat e djem të rinj u vranë në fshatin Mejë”, tha Kurti.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe e mbijetuara e njërës prej masakrave të luftës, Saranda Bogujevci, ka thënë se mohimi i krimeve bëhet në mënyrë të qëllimshme dhe me planifikim.

“Sot e kemi detyrë gjithsecili nga ne, jo vetëm ta dokumentojmë por edhe ta tregojmë historinë tonë në çdo cep të botës, jo pse s’e di por sepse Serbia na lufton e pengon edhe sot e kësaj dite me çdo mjet të mundshëm. Ata në asnjë rrethanë nuk gjetën guxim  e as humanizëm për të kërkuar falje për krimet që ia shkaktuan popullit tonë. Ndodhi e kundërta, ata i mohojnë krimet e kryera në Kosovë, Bosnje dhe ende tentojnë ta ndryshojnë këtë narrativë. Ata luftojnë e mohojnë faktet për gjenocidin e kryer nga ta me qëllim dhe të planifikuar”, ka thënë ajo.

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar, për persona të Zhdukur, e ka cilësuar masakrën e Mejës si ditën e shpërfaqjes së mizorisë së agresorit serb.

“Kjo ditë do të duhej të ishte ditë e thirrjes së zgjimit për gjithë botën, një reflektim mbi atë se çfarë kemi përkujtuar. S’po flas veç për 376 të masakruarit e të vrarët e Mejës, e shumë të tjerë të zhdukur, por edhe për mijëra të tjerë që sot jetojnë si të vdekur nga pasojat e masakrave e humbjen e më të dashur të tyre”, ka deklaruar Hoti.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka listuar arsyet pse masakra e Mejës është e përmasave tjera të krimit.

“Meja është krejt diçka tjetër dhe e veçantë për disa arsye. E para është brutaliteti ndaj djemve e burrave veç pse kanë qenë shqiptarë. Brutaliteti i cili është treguar në çdo zonë të Kosovës, këtu ka dalë krejt tjetër. Krimi nuk ka përfunduar me ekzekutimin e 367 civilëve, janë marrë kufomat, janë varros e rivarros, janë dërguar në Serbi, janë djegur. Krejt këta familjarë e bartin në gjoks të vetin për 25-vjet, për një çerekshekulli dhimbjen”, ka thënë Gjini. /RTK/

Read Previous

Osmani: Masakra e Mejës është testament i dhimbjes së vazhdueshme në çdo shtëpi të Kosovës

Read Next

Rohde: Bashkohem në solidaritet me familjet e personave të zhdukur