Marsi i vitit 1999 për shumë kosovarë rikthen ndjenjën e gëzimit për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, por edhe për shumë të tjerë, kujtimet e tyre për më të afërmit që i humbën gjatë luftës.
Në mars të vitit 1999 ishin intensifikuar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, që kishin filluar një vit më parë, e që synonin pavarësimin e Kosovës nga Jugosllavia e atëhershme.
Komuniteti ndërkombëtar druante nga ripërsëritja e masakrave që më herët ishin shënuar në luftën e Bosnjë e Hercegovinës, andaj aleanca veriatlantike më 24 mars të vitit 1999 vendosi që të filloj bombardimet ndaj ish-Jugosllavisë, për të “ndërprerë spastrimet etnike dhe vrasjen e civilëve shqiptarë” që kryheshin nga forcat e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë.
Fshati Krushë e Madhe ishte dëshmitar i njërës prej tetë masakrave më të mëdha të Kosovës, ku gjatë tre ditëve sa zgjati masakra u vranë dhe masakruan 241 persona.