22 vite më parë konkretisht më 27 prill të vitit 1999, u vranë dhe masakruan 376 persona në fshatin Mejë të Gjakovës. Masakra e Mejës është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për t’i përkujtuar të gjithë ata që u vranë në vendin që quhet “Lëndina e Pikëllimit” u mlodhën shumë qytetarë dhe familjarë.
Kërkesa e vetme e familjarëve është që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të dënohen kryerësit e kësaj vepre makabre.
Teksa qëndronin afër varreve të më të dashurve të tyre familjarët thanë se mes dhimbjesh ndjejnë edhe krenari.
Në 22 vjetorin e rënies së martirëve dhe dëshmorëve të kësaj zone, për të nderuar dhe kujtuar veprën dhe jetën e tyre erdhi edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili tha se pikëllimi i Mejës dhe Gjakovës është i gjithë Kosovës, por kjo dhimbje duhet të kthehet në krenari.
Të shumtë ishin qytetarët që erdhën nga qytete të tjera për të bërë homazhe.
Nuk ka zë më të dhimbshëm se heshtja e kësaj lëndine. Plagët e luftës ende nuk janë mbyllur, andaj fati i të pagjeturve duhet të zbardhet sa më parë, u tha me këtë rast.