2000 raketa gati për Europën

Sirenat e alarmit gjëmuan në Tel Aviv gjatë natës, pasi një valë e re raketash u lëshua nga Irani drejt Izraelit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave dhe plagosjen e rreth 200 të tjerëve, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), miliona qytetarë u detyruan të strehohen në bunkerë, ndërsa një raketë ra edhe në Jeruzalem.

Në kundërpërgjigje, Izraeli njoftoi se ka goditur një sërë objektivash në Teheran, përfshirë depozita karburanti dhe ndërtesa të Ministrisë së Mbrojtjes, të lidhura me programin bërthamor të Iranit. Agjencia iraniane Tasnim konfirmoi dëmtimin e një godine të kësaj ministrie.

Situata është përshkallëzuar më tej me përfshirjen e rebelëve Huthi nga Jemeni, të cilët thanë se kanë lëshuar raketa balistike hipersonike “Palestine 2” drejt Izraelit. Ata paralajmëruan edhe sulme të tjera të koordinuara ndaj objektivave izraelite.

Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në Truth Social se nëse Irani sulmon SHBA-në, “fuqia e plotë e ushtrisë amerikane do të përplaset mbi ta si kurrë më parë”. Por mediat amerikane raportojnë se SHBA nuk ka në plan të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt.

Sipas Wall Street Journal, Izraeli mund të synojë edhe liderin suprem të Iranit, ajatollahun Ali Khamenei, si pjesë e përpjekjeve për shkatërrimin e kapaciteteve bërthamore të Teheranit. 

Në anën tjetër, Irani ka paralajmëruar hakmarrje ndaj vendeve perëndimore që ndihmojnë Izraelin, duke përmendur se ka gati 2.000 raketa për t’u përdorur ndaj bazave dhe anijeve amerikane, franceze dhe britanike.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Marrëveshjet për migrantët

Read Next

Ambasadorja izraelite thotë se Evropa duhet të jetë mirënjohëse