15-vjetori i anëtarësimit në NATO, Basha: Kurrë më s’do jemi të vetëm në mbrojtjen e lirive tona

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar përmes një videopostimi në media sociale 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke theksuar se Shqipëria kurrë më nuk do të jetë vetëm në mbrojtjen e lirive të veta.

Kreu i PD, në atë kohë ministër i jashtëm i Shqipërisë, ka zgjedhur një pjesë të fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit në Këshillin e Atlantikut të Veriut, para përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Basha në mesazhin e tij shkruan se për të ka qenë nder i veçantë të shërbente si ministër i Punëve të Jashtme në këtë moment historik.

Më tej, vijon duke publikuar një pjesë të fjalimit të tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të protokolleve në anëtarësim.

Fjalimi i Bashës:

Rrallëherë, një komb që luftonte për lirinë e tij, ka rrugëtuar kaq i vetmuar në horizontet e historisë, për kaq gjatë.

Izolimi, i imponuar apo i vetë shkaktuar, shënjoi historinë e kombit tim. Është saga e një udhëtimi të pashoq drejt ëndrrës evropiane.

Luftuam shumë dhe vuajtëm shumë. Por e ardhmja lind përmes sakrificës.
Në muzg të luftës tonë për liri ne farkëtuam aspiratën tonë kombëtare për të rrugëtuar sërish krah për krah me popujt e lirë të familjes euro-atlantike.

Ndaj sot me nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit, shqiptarët festojnë domethënien e këtij momenti jetik në historinë tonë kombëtare. Kurrë më nuk do të jemi të vetmuar në kauzën e mbrojtjes së lirive tona.

Ne do të rrugëtojmë dhe ngrihemi së bashku me ju, kurrë më të ndarë nga tirania apo shtypja por të njësuar rreth vlerave të përbashkëta të dashurisë për lirinë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe shanseve të barabarta para ligjit.

Këto vlera të paçmueshme, këto të vërteta të padiskutueshme përbëjnë kolonat e identitetit tonë të përbashkët, janë çfarë na bashkon e na bën më të fortë, janë vetë arsyet për të cilat luftojmë dhe vendosim në altarin e sakrificës sublime jetët e bijve dhe bijave tona në uniformë, sa herë këto vlera kërcënohen. /Albanianpost.com

Read Previous

Dhoma e Tregtisë: BQK largon tarifën për depozitimin e monedhave metalike

Read Next

Unicef: Kriza në Gaza nuk është vetëm humanitare, por edhe morale