Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të akuzuarin për sulm ndaj pjesëtareve të KFOR-it në Zveçan, Nenad Orloviq, me 15 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë.
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu Selimaj, tha se vendimi do të bëhet direkt i zbatueshëm meqë vjen si rezultat i marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Shtetasi kosovar me kombësi serbe Orloviq u dënua për huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar. Ai është në paraburgim prej 26 qershorit të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, ai ka përdorur mjete të forta e shpërthyese dhe armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Aktakuza e Prokurorisë Speciale kundër Orloviqit ndërlidhet me 29 majin e vitit të kaluar, kur turma e dhunshme e protestuesve serbë lëndoi rreth 90 pjesëtarë të KFOR-it, thuhet në njoftim të gjykatës./rtklive