Trent Alexander-Arnold është lojtari më i ri i Real Madridit. Mbrojtësi i djathtë anglez, 26 vjeç, ka nënshkruar një kontratë gjashtëvjeçare me klubin spanjoll, e vlefshme deri në vitin 2031.
Alexander-Arnold largohet nga Liverpool pas 20 vitesh në klub, ku zhvilloi 354 ndeshje, shënoi 23 gola dhe dha 92 asistime. Ai vendosi të mos rinovojë kontratën me Liverpoolin, e cila skadon më 30 qershor 2025 .
Fillimisht, ishte planifikuar që transferimi të ndodhte pas skadimit të kontratës, por Real Madridi arriti një marrëveshje me Liverpoolin për ta sjellë lojtarin më herët, për të qenë i gatshëm për Kupën e Botës për Klube që fillon më 18 qershor. Për këtë, Real Madridi do të paguajë një shumë prej 10 milionë eurosh dhe do të mbulojë pagën e lojtarit për muajin qershor.
Ky transferim është një hap i rëndësishëm në rindërtimin e mbrojtjes së Real Madridit, me Alexander-Arnold që pritet të zëvendësojë Dani Carvajal në afat të mesëm. Gjithashtu, afrimi i tij është pjesë e përgatitjeve të klubit për Kupën e Botës për Klube dhe sezonin e ardhshëm .
Alexander-Arnold do t’i bashkohet skuadrës më 11 qershor, pas përfundimit të angazhimeve me kombëtaren angleze. /KosovaPress/