Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të enjten se do të dërgojë letra në vende të ndryshme ku do të shkruajë sa tarifa doganore do të paguajnë, ndoshta duke filluar prej të premtes, pasi afati për tarifat doganore, më 9 korrik, është vetëm disa ditë larg.
Sipas Anadolu, Trump tha se letrat do të specifikonin sa do të duhet të paguante secili vend, për shembull, “një taksë doganore prej 20%, 25% ose 30%”.
“Siç e dini, ne kemi shumë më tepër se 170 vende, dhe sa marrëveshje mund të bësh? Mund të bësh marrëveshje të mira, por ato janë shumë më komplekse”, u tha Trump gazetarëve.
“Më mirë do të ishte të dërgoja një letër që thotë sa do të paguani”, theksoi ai.
Presidenti tha se vendet duan marrëveshje specifike që përfshijnë klauzola të ndryshme, por ai preferon të bëjë një marrëveshje të thjeshtë.
Ai shtoi se Uashingtoni do të “dërgojë disa letra duke filluar ndoshta të premten, ndoshta 10 në ditë”.
Ndërkohë, Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, tha në një intervistë për CNBC të enjten se “vendet duhet të jenë të kujdesshme” që të mos vonojnë negociatat tregtare.
Bessent përsëriti paralajmërimin se vendet në negociata mund të kthehen tek taksat në nivelin e 2 prillit nëse nuk janë “të kujdesshme” gjatë bisedimeve tregtare.
Në prill, SHBA-ja vendosi taksa “reciproke” për shumicën e vendeve, më pas i pezulloi më 9 prill për 90 ditë.
Negociata të ndryshme për taksat janë në vazhdim, ndërsa vendet kërkojnë marrëveshje më të mira tregtare me ekonominë më të madhe në botë, ndërsa afati po afron.
Ndërkohë, Trump këtë javë gjithashtu tha se nuk ka në plan të shtyjë afatin e 9 korrikut.