​Tregu i lirë i energjisë, Ajvazi: Po goditet boshti i ekonomisë së Kosovës

Ekonomisti dhe organizatori i protestës së djeshme të bizneseve, Kushtrim Ajvazi ka ngritur alarmin për pasojat që po sjell kalimi i një pjese të bizneseve në tregun e lirë të energjisë në Kosovë.

Në një reagim publik, Ajvazi theksoi se institucionet janë duke relativizuar këtë zhvillim me të dhëna që duken të vogla në përqindje, por që në realitet përfaqësojnë shtyllën kryesore të ekonomisë vendore.

“Ky ‘1%’ nuk është thjesht statistikë. Është boshti i ekonomisë së Kosovës,” deklaroi Ajvazi, duke shtuar se ky segment i bizneseve mban në punë rreth 143 mijë punëtorë, ose afro 46% të të gjithë të punësuarve në sektorin privat, gjeneron mbi 11 miliardë euro qarkullim vjetor, më shumë se 50% e qarkullimit të përgjithshëm të ekonomisë dhe kontribuon me rreth 4.5 milionë euro tatime çdo ditë, që përbëjnë rreth 60% të të hyrave tatimore të Kosovës.

Sipas tij, ky grup i bizneseve po përballet me barrën më të rëndë të një liberalizimi të pa përgatitur të tregut të energjisë, duke u përballur me rreziqe serioze për likuiditetin, investimet dhe ekzistencën e kapaciteteve prodhuese.

“Ky nuk është thjesht një grup biznesesh. Ky është themeli mbi të cilin qëndron buxheti, punësimi dhe stabiliteti ekonomik i Kosovës. Mos e prekni këtë 1%. Nëse rrëzohet ky, rrëzohet gjithë sistemi,” përfundoi Ajvazi. /KosovaPress/

Read Previous

OKB: Bota përgjegjëse për të sjellë ndihma në Gaza

Read Next

Bloomberg: Me blloqet shumëngjyrëshe, Piramida e Tiranës përfaqëson një Shqipëri në ndryshim