Specializantët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK), kanë protestuar të enjten përshkak të mos pagesës së kujdestarive të vikendit dhe të ditëve të festave. Mospagesën e të njëjtave, specializantët po e quajnë si diskriminues dhe nënçmim të punës së tyre.
Në rast se nuk do të merret vendim që të paguhen për mbajtjen e kujdestarive, specializantët po paralajmërojnë se do t’i sabotojnë kujdestaritë dhe do të ndjekin edhe rrugët ligjore për ta realizuar këtë të drejtë.
Përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi, njëherësh specializant në Neurologji, tha se mos pagesa për mbajtjen e kujdestarisë është një ofendim për ta. E në rast se nuk do të merret vendimi që të njëjtat të paguhen, Zajmi tha se do të bojkotojnë kujdestaritë gjatë vikendit.
Zajmi tha se në bazë të udhëzimit administrativ e kanë për obligim që të mbajnë së paku dy kujdestari, e që për të mbajtur më shumë ai tha se kërkojnë që të paguhen.
Ai bëri të ditur se që pas marrjes së vendimit që kujdestaritë të mos paguhen në shumë klinika janë sabotuar kujdestaritë gjatë vikendit.
Sipas tij, specializantët po marrin kërcënime edhe nga Klinikat për mos mbajtje të kujdestarive.
Ai tha se kanë bërë kërkesa edhe në Ministri të Shëndetësisë edhe në SHSKUK, por që tha se asnjë institucion nuk po merr përgjegjësi.
Ndërsa, Flamur Hasimi, specializant në neurokirurgji, tha se mos pagesa për mbajtjen e kujdestarive po i dëmton edhe vet ata, derisa e quajti të padrejtë vendimin për mos pagim të kujdestarive për specializantët.
Ai tha se në Klinikën ku ai është duke e bërë specializimin nuk ka marrë kërcënime se do të përjashtohet nëse nuk do të mbajë kujdestaritë./KosovaPress