Shumica dërrmuese e ukrainasve (65%) mbeten të gatshëm të durojnë vështirësi për hir të fitores.
Këto janë gjetjet e një ankete sociologjike të kryer nga kompania kërkimore InfoSapiens, të paraqitura gjatë një konference për shtyp në Ukrinform.
“Po shohim pothuajse të njëjtat shifra si më parë, por ka një rënie të dukshme prej katër pikësh përqindjeje midis atyre që janë të gatshëm të durojnë për aq kohë sa të duhet: nga 69% vitin e kaluar në 65% këtë vit. Megjithatë, është një shumicë e qartë”, tha Inna Volosevych, drejtuese e departamentit të kërkimit socio-politik të InfoSapiens.
Ajo vuri në dukje se pjesa e atyre që nuk janë të gatshëm të durojnë fare është rritur gjithashtu me katër pikë përqindjeje — nga 12% në 16%. Sipas saj, ky ndryshim është statistikisht i rëndësishëm, transmeton KosovaPress.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se 58% e ukrainasve besojnë se vendit aktualisht i mungon më shumë paqja, e ndjekur nga 40% që theksojnë drejtësinë, 34% unitetin dhe 30% stabilitetin.