Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë qendrat e vaksinimit në tërë vendin janë dhënë 1.365 doza të vaksinës kundër COVID-19. Ministria e Shëndetësisë thotë se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 160.410 doza të vaksinës, ndërsa deri më sot 32.975 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Qytetarët edhe sot janë vaksinuar në qendrën “1 Tetori” në kryeqytet. Bajram Bajrami u paraqit në këtë qendër për të marrë dozën e dytë të vaksinës. Ai pati fjalë të mira për procesin në përgjithësi.
Edhe Vehbi Gashi mori sot dozën e dytë të vaksinës anti-Covid, duke shprehur falënderime ndaj stafit mjekësor.
Haki Fehrati kishe pasur probleme me aplikimin për herë të parë, por që më pas ccështja ishte zgjidhur. Tashmë, ai dhe bashkëshortja e tij kanë marrë të dy dozat e vaksinës anti-Covid.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informoi se nga 1.386 testime, 4 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes./KosovaPress