Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për Gjykatën Komerciale. Në mbledhjen e sotme u tha se themelimi i saj shënon një hap para në reformimin e drejtësisë komerciale në Republikën e Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se me themelimin e kësaj gjykatë do të përshpejtohet shqyrtimi dhe trajtimi i lëndëve komerciale.
Më tej, Haxhiu ka thënë se me këtë projektligj do të normohen politika adekuate, të cilat themelojnë një gjykatë të veçantë, ku do të merret ekskluzivisht me trajtimin e zgjidhjeve të kontesteve mes personave juridik, fizik dhe shoqërive tregtare.
Ministrja Haxhiu ka shtuar se themelimi i gjykatës komerciale shënon një hap para në reformimin e drejtësisë komerciale në Republikën e Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka ngritur çështjen e pagesave të zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, që sipas tij duhet të përcaktohen në këtë projektligj që të jenë një vijë me Ligjin për Zyrtarët Publikë./KosovaPress