Qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Gazë janë mbyllur sot, ndërsa ushtria izraelite paralajmëron se rrugët që çojnë në këto pika do të konsiderohen si “zona luftarake”.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një rrjet ndihmash i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli dhe i konsideruar i diskutueshëm, thotë se qendrat po mbyllen për “përditësim, organizim dhe punime për përmirësimin e efikasitetit”.
Të paktën 27 palestinezë u vranë nga zjarri izraelit pranë një pike ndihmash të martën, thanë zyrtarë lokalë të mbështetur nga Hamasi – incidenti i tretë vdekjeprurës në po aq ditë që ndodh në një rrugë drejt një qendre të GHF-së.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se trupat e tyre gjuajtën me armë pasi identifikuan persona të dyshimtë që iu afruan duke “devijuar nga rrugët e caktuara të qasjes”.
Në një zhvillim tjetër, të paktën dymbëdhjetë palestinezë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror izraelit që kishte në shënjestër një shkollë ku strehoheshin të zhvendosur në Khan Younis, sipas mjekëve dhe dëshmitarëve okularë.
Izraeli nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare të lajmeve brenda në Gazë, duke e bërë raportimin e ngjarjeve në këtë territor të vështirë.