Qendra Kinematografike e Kosovës po përfaqëson sërish industrinë filmike të vendit në një nga ngjarjet më prestigjioze të kinemasë botërore – Festivalin e Filmit në Kanë të Francës.
Ashtu si në vitet e kaluara, QKK ka ngritur shtandin e saj në Marketin e Festivalit, këtë vit përsëri në bashkëpunim me Shqipërinë, duke dëshmuar përkushtimin për prezantimin dhe zhvillimin ndërkombëtar të kinematografisë shqiptare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi, ka theksuar rëndësinë e përkushtimit të gjatë që qëndron pas një filmi të realizuar:
“Shumë vite punë në prapaskena kalohen në bashkëpunim, rrjetëzim, ngritje fondesh, përshtatje vizioni artistik për distribuim dhe promovim ndërkombëtar e vendor, në mënyrë që produkti kinematografik një orësh e gjysmë të shfaqet i përfunduar në ekranin e madh.”
Në Kanë, përveç prezencës institucionale, tre kineastë nga Kosova – Samir Karahoda, Kaltrina Krasniqi dhe Sami Mustafa – janë të angazhuar në zhvillimin e projekteve të tyre filmike:“Imazhe të Humbura” – Samir Karahoda, “Bleach” – Kaltrina Krasniqi, “Symphony of Season” – Sami Mustafa
Kjo pjesëmarrje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për rrjetëzim, bashkëpunime të reja dhe avancim të mëtejshëm të projekteve filmike kosovare në skenën ndërkombëtare.
Shtandin e QKK-së mund ta vizitoni në International Village Riviera, Pavijoni nr. 137, deri më 21 maj 2025 (e mërkurë).
Për Kosovën, prania në Kanë nuk është vetëm simbolike – është një dëshmi e rritjes së vazhdueshme të kinemasë vendore dhe përkushtimit për ta vendosur atë në hartën e filmit botëror. /KosovaPress/