Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në dy vitet e fundit ka hetuar pesë raste ku përfshihen përdorimi i pakontrolluar i armëve nga policët, kryesisht kadetët e rinj. Së fundmi, një zyrtare policore u plagos aksidentalisht dhe u suspendua. E shpeshtimi i incidenteve të tilla, ka nxitur kërkesën për zgjatjen e trajnimeve policore nga tre në gjashtë muaj, por edhe nevojën për rregulla më të qarta dhe disiplinë më të madhe në mbajtjen e armës jashtë detyrës.
Nga Inspektorati Policor i Kosovës për KosovaPress, kanë deklaruar se gjatë viteve 2023 dhe 2024, IPK ka hetuar pesë raste që lidhen me sjellje të papërshtatshme të zyrtarëve policorë në lidhje me përdorimin e armës zyrtare.
Një rast i ri këtë vit përfshin një zyrtare policore që plagosi veten përmes përdorimit të pakontrolluar të armës, për të cilën është suspenduar.
“Inspektorati Policor i Kosovës tutje (IPK), përkatësisht Departamenti i Hetimeve, tutje gjatë vitit 2023 ka iniciuar dy raste ndaj dy punonjësve policorë, ndërsa gjatë vitit 2024 ka iniciuar tre raste ndaj tre punonjësve policorë. Aktualisht, në masën e suspendimit është një punonjës policor, kurse për rastet e mëhershme ka pasur edhe tri suspendime dhe në një rast zyrtari policor është arrestuar. Prej gjithsej pesë rasteve gjatë dy viteve të fundit, katër prej tyre janë dorëzuar në prokuroritë kompetente me kallëzime penale. Këtë vit, IPK ka regjistruar një rast ku dyshohet për manipulim në mënyrë të pasigurt me armën zyrtare”, thanë nga IPK.
IPK thekson se edhe pse raste të tilla janë të rralla në raport me numrin e përgjithshëm të zyrtarëve, ato mbeten shqetësuese dhe rrjedhin kryesisht nga mosrespektimi i rregullave të sigurisë.
“Duhet cekur se numri i rasteve të shkrepjeve nga pakujdesia, duke pasur parasysh numrin e përgjithshëm të zyrtarëve policorë, nuk është i shpeshtë, por gjithsesi është shqetësues si për IPK ashtu edhe për vet Policinë e Kosovës. IPK, pas hetimit të këtyre rasteve, vlerëson se janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë që zyrtarët policorë të kenë shkrepje nga pakujdesia, por më i shpeshti vlerësohet të jetë mosrespektimi i rregullave të sigurisë mbi përdorimin e armës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Ish-nënkoloneli policor, Refki Morina, kërkon shtimin e trajnimeve praktike për përdorimin e armës dhe zgjatjen e trajnimit policor nga tre në gjashtë muaj.
“Kjo vjen, unë mendoj, për shkak të asaj se trajnimet duhet të jenë të vazhdueshme dhe në Akademi Policore trajnimet tremujore në aspektin e mbajtjes së armës, bartjes së saj, përdorimit të saj, demolimit të armëve janë të pakta. Prandaj, trajnimet e tilla duhet të vazhdojnë kur kadetët e kryejnë Akademinë Policore, dalin si zyrtarë policorë dhe duhet të ketë trajnime të vazhdueshme edhe si zyrtarë policorë, në mënyrë që ata me e kuptua tërësisht armën… Tek gjeneratat e reja kërkohet më shumë kujdes i shtuar ndaj armës, edhe pse në Akademinë Policore kemi instruktorë shumë profesionalë, por koha e trajnimit tremujor të tyre është shumë e shkurtër. Prandaj, unë mendoj se kjo duhet të zgjatet në gjashtë muaj ose më shumë, në mënyrë që kur dalin zyrtarët policorë ose kadetët ta kryejnë Akademinë Policore të jenë të aftë të manipulojnë me armën dhe ta përdorin aty ku të jetë nevoja e tyre”, tha ai.
Morina thekson rëndësinë e përgatitjes së vazhdueshme dhe kontrolleve të rregullta psikologjike për zyrtarët që përballen me stres të përditshëm.
“Zyrtari policor që manipulon në mënyrë të pakontrolluar me armën zyrtare ai së pari e rrezikon vetveten, familjen e tij, por edhe qytetarët, për arsye se nëse arma përdoret në përmasa të mëdha, mund të rrezikohen edhe qytetarë të tjerë. Prandaj, për këtë arsye kërkohet një shtim i madh i përkujdesjes ndaj zyrtarëve policorë, sidomos kadetëve që përfundojnë Akademinë… Të kontrollohen zyrtarët policorë, për shkak se zyrtarët policorë vazhdimisht kanë të bëjnë me strese të ndryshme e vepra të ndryshme penale, të cilat kanë stres 24 orë. Prandaj, edhe duhen kontrollet mjekësore të tyre vazhdimisht, në mënyrë që ata të jenë në gjendje psikike dhe të aftë t’i kryejnë detyrat zyrtare”, shprehet nënkoloneli policor.
Njohësi i balistikës dhe sigurisë, Xhemajl Ademaj, fajëson pakujdesinë individuale dhe thotë se udhëzimet dhe parimet për përdorimin e armës, duhet të rishikohen dhe përforcohen.
“Incidenti me armë zjarri vjen nga moskujdesi personal, moskujdesi i individit. Arma nuk guxon të përdoret në ato vende ku ti nuk je gjatë detyrës zyrtare, nuk ke nevojë ta lësh të mbushur me predhë në cevë apo fishek në cevë. Në qoftë se ti nuk je në detyrë, sa i përket incidenteve të fundit që po ndodhin është për keqardhje dhe nuk mundemi me u ankuar në institucionin e Policisë së Kosovës se nuk kanë trajnime të mjaftueshme… Ndryshimi i parë që do ta bëja është parimet dhe procedurat ose udhëzuesi për përdorimin e armës nga ana e policit. Nuk po e fus këtu konceptin e përdorimit të armëve kur je në rrezik jetën tënde apo të tjetrit. Këtu është fjala të mos luajë me armën askush që është i ngarkuar me të, se këtu është duke ardhur deri tek incidenti i moskujdesit të atyre që janë të ngarkuar me armë në Policinë e Kosovës”, deklaroi Ademaj.
Rasti i fundit kur një zyrtare policore e përdori armën në mënyrë të pakontrolluar, duke e plagosur veten, ndodhi në fillim të këtij muaji. Policja nga Prizreni e vetplagosi veten dhe për përdorim të armës jashtë detyrës u suspendua nga detyra./kp