​Osmani pret ministrin e Jashtëm polak: Të përkushtuar të kontribuojmë për një Evropë më paqësore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur mëngjesin e sotëm ministrin e Jashtëm polak, njëherit kryesues aktual i OSBE-së, Zbigniew Rau, me të cilin ajo u shpreh se kanë diskutuar për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Republikës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Osmani tha se Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike.

“Kosova ka shënuar progres të vazhdueshëm në forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, prandaj presim përkrahje në rrugëtimin tonë euro-atlantik nga shtetet që ndajnë vlera të njëjta”, deklaroi Osmani.

Sipas presidentes Osmani, Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ajo ka theksuar se Kosova vazhdimisht është palë konstruktive dhe se procesi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca, përveç kësaj, me ministrin Rau, presidentja Osmani thuhet se diskutoi edhe për përkushtimin e Kosovës për ta mbështetur popullin ukrainas, i cili po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë, për thellimin e marrëdhënieve miqësore me Poloninë, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Presidentja Osmani tha se llogarisin në mbështetjen e Polonisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

“Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike”, ka theksuar Osmani në takim me ministrin e Jashtëm polak.

Presidentja Osmani në takim me ministrin Rau ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare me të cilën përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallim. /KosovaPress/

Read Previous

Ministria e Financave njofton për pagesat për skemat sociale dhe pensionale

Read Next

Lidhja e pathyeshme artistike e Gustav Klimt me Egon Schiele