​“Nuk kemi ardhur të dorëzuar”, Daja flet para ndeshjes me Astanan

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja dhe mbrojtësi Arbër Potoku folën sot për mediat para ndeshjes së nesërme në Ligën e Konferencës kundër Astanas.

Nesër me fillim nga ora 16:30 Astana e pret në shtëpi, në stadiumin “Astana Arena” kampionin e Kosovës, Ballkanin.

Daja tha se pret nesër një ndeshje tejet të vështirë, por se pavarësisht gjithçka Ballkani do të luajë për të kërkuar maksimumin e rezultateve.

“Ne presim një ndeshje të vështirë nesër, por që sigurisht që nuk kemi ardhur të dorëzuar, përtej vështirësive edhe neve do të bëjmë gjithçka për gjithçka se në fund fare janë ndeshje për tu luajtur dhe për të kërkuar maksimumin e rezultateve”, tha Daja.

Po ashtu, trajneri i kampionit të Kosovës tha se ka përgatitur ekipin që lojtarët të hyjnë në fushë vetëm për ta fituar ndeshjen.

“Sigurisht që neve na pëlqen që të jemi vetë fitues por që është një ndeshje e vështirë sepse Astana ka një ekip goxha të mirë, edhe në aspektin taktik edhe në aspektin fizik, por që nuk mundem të jap përqindje se kush nesër do të jetë ai që do ta fitojë ndeshjen, sepse futbolli është një sport jo shkencë ekzakte, dhe unë përgatis ekipin tim, djemtë e mi që të futen në fushë për ta fituar ndeshjen pavarësisht se çfarë rezultati do të prodhojë ndeshja”, tha Daja.

Mendim të njëjtë sikur Daja ndan edhe mbrojtësi Arbër Potoku, i cili tha se ndeshja e nesërme është tejet e vështirë por se ekipi shpreson që të kthehet në Kosovë me rezultat pozitiv.

“Sigurisht që është një përballje mjaft e rëndësishme por që në këtë nivel dihet që rezultatet janë të pranishme. Në ndeshjen në Kosovë dihet që ne e kemi dominu ndeshjen dhe kemi pas mjaft shumë raste, por që fati mendoj se nuk ishte në anën tonë. Besoj që jemi përgatitur mjaft mirë, dhe po vazhdojmë të përgatitemi dhe të adaptohemi me kohën këtu, them me klimën, që edhe nesër të paraqitemi sa më mirë dhe shpresojmë që të kthehemi në Kosovë me kokën lartë dhe me rezultat pozitiv”, tha Potoku.

Ndërkaq, Potoku foli edhe për gjasat që i ka Ballkani për ta kaluar grupin dhe për ta prekur “play-offin”.

“Për ne është viti i dytë, dhe eksperienca normal që flet në këto ekipet që janë në grupin tonë. Sigurisht që objektivi jonë nuk ka qenë ta kalojmë grupin, mirëpo me ndeshjet që i kemi zhvilluar dhe me rezultatet që i kemi pas, sidomos me ndeshjen ndaj Dinamos, atëherë pritshmëritë janë rritë dhe sigurisht që është pritë më shumë, sepse i kemi rritë vetë objektivat. Por, që tash e dimë siç jemi me pikë, kemi tre ekipe me tre pikë, besoj që kemi shanse ta kalojmë grupin dhe do të bëjmë maksimumin që ta arrijmë këtë objektiv, që do të ishte objektiv madhor”, tha Potoku.

Ballkani do të synojë me çdo kusht fitoren nesër, që të mbajë gjallë gjasat për kualifikim tutje në Ligën e Konferencës.

Momentalisht, Ballkani zë vendin e tretë në Grupin C me tre pikë, aq sa ka edhe Dinamo Zagrebi në vendin e dytë e Astana në vendin e fundit.

/kp/

Read Previous

Hoxha: Shtesat të rriten, pres zgjidhje për kërkesat e njësive elitare

Read Next

Progres-raporti i KE-së për Shqipërinë: Korrupsioni mbetet shqetësim serioz, avancim në integrim dhe drejtësi