Ka kaluar një javë prej kur Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani rreth emërimit të dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e megjithatë ende nuk është bërë emërimi i të njëjtëve.
Derisa nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se është e papranueshme një vonesë e tillë në kompletimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga shoqëria civile thonë se një gjë e tillë duhet të bëhet vetëm pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Nga Zyra e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress, se kur do të bëhet emërimi i dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Këtë vonesë në emërimin e të njëjtëve e quan të panevojshme sekretari elektoral i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i cili thotë se moskompletimi i KQZ-së po ndikon edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Ai potencon se kanë pritur që anëtari i dytë i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të emërohet qysh në fillim të kësaj jave, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në rast se presidentja nuk do të emërojë anëtarin e dytë të Partisë Demokratike në KQZ, Gjoshi thotë se atë vendim do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se pas publikimit të plotë të vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, presidentja Osmani duhet të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së dhe të Vakatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Çdo vonesë tjetër, Cakolli shprehet se do të ndikojë negativisht në performancën e punës së KQZ-së dhe në përgatitjen e zgjedhjeve lokale.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë se përkundër që aktualisht nuk kanë probleme me kuorumi në mbledhjet e KQZ-së, përbërja e plotë do ta lehtësonte punën e këtij institucioni.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, më 12 maj të këtij viti ka emëruar tetë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa për dy anëtarë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten e javës së kaluar e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e saj./KosovaPress