​Ngërçi politik, Kurti: Situata reflekton përballjen me struktura patriarkale të prapambetura

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar sot mos zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, as pas seancës konstitutive numër njëzetekatër, raporton KosovaPress.

Ai ka thënë se lufta e partive tjera PDK, LDK, AAK e NISMA kundër ministres në detyrë të Drejtësisë nuk është vetëm përballje politike e partiake, por edhe përballje gjinore.

Në këshillin e Grave të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se kjo situatë reflekton përballjen me “struktura hierarkike e patriarkale të prapambetura”.

“Kjo situatë gjithashtu reflekton përballjen me struktura hierarkike e patriarkale të prapambetura.. Lufta kundër kryetares së GVV, Albulena Haxhiu nuk është vetëm përplasje politike apo partiake, por edhe përballje gjinore. 30:31 Gruaja, të cilën më së shumti e ka votuar populli i Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit, është Albulena Haxhiu. Në vend se ta respektojnë popullin, e luftojnë Albulenën”, tha Kurti.

Kujtojmë, ka dështuar për herë të njëzetekatër seanca konsitutive e legjislaturës së nëntë. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja e kësaj partie për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu pas dështimit të vazhdimit të njëzetë e katër të seancës konstituive të Kuvendit, ka thënë se për Lëvizjen Vetëvendosje është e pa pranueshme se ka deputetë që nuk e dinë “pse vijnë në Kuvend”.

Sipas saj, sot ishte seanca e 16 prej kur është propozuar komisioni për votimin e fshehtë dhe në këto seanca partitë tjera nuk kanë marrë pjesë në votim.

Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për koalicione sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, por partitë tjera i kanë thënë se duhet marrëveshje politike dhe ndryshimin e emrit për kryetar të ri të Kuvendit.

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt, rezultatet janë certifikuar më 27 mars. Nga 15 prilli e deri më sot janë mbajtur çdo 48 orë vazhdime të seancës konstituive, në të cilën gjashtë herë Albulena Haxhiu në votimin e hapur dështoi të merr 61 votat e nevojshme.

Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar çështjen e votimit të fshehtë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Vazhdimi i njëzetepesë i seancës konstituive do të mbahet ditën e hënë nga ora 10:30./kp

Read Previous

Kina kritikon Macronin për krahasimin e Ukrainës me Tajvanin

Read Next

Cakolli: Deputetët erdhën në seancë me nga 2,600 euro më shumë në xhirollogari