​Nga uniforma në podium, Policia e Kosovës synon suksesin edhe në sport

Policia e Kosovës nuk është vetëm aparat force, brenda saj po lind edhe ana e tyre sportive e cila së shpejti do të jetë e prekshme nga të gjithë përmes pjesëmarrjes së tyre në gara vendore dhe ndërkombëtare përmes klubeve të ndryshme sportive.

Tashmë brenda këtij institucioni është krijuar Shoqata Sportive me kryetar Isak Ejupi, i cili në një intervistë për KosovaPress tregon për iniciativën e përfshirjes së Policisë së Kosovës në sport.

“Në krye të Policisë së Kosovës momentalisht është një njeri që është i apasionuar pas sportit dhe ka vullnet jashtëzakonisht të madh që përfundimisht Policia e Kosovës të inkorporohet në komunitetin sportiv, meqenëse e kemi pa që kemi në ne kapacitete për të qenë pjesë e këtij komunitetit dhe drejtori i përgjithshëm e ka marrë iniciativën dhe është mbështetur sigurisht nga ministri i Punëve të Brendshme ndërkaq ne kemi punuar intensivisht që këtë ta bëjmë realitet. Fillimisht e kemi themeluar Shoqatën Sportive të Policisë së Kosovës, e cila pastaj ka ndihmuar edhe ka përzgjedhë personelin ose stafin për themelimin e klubeve sportive në disiplina të ndryshme”, thotë fillimisht Ejupi.

Ejupi bën bënë të ditur se deri më tani janë themeluar nëntë klube sportive që do të garojnë në federatat përkatëse sportive të Kosovës.

“Deri tani i kemi themeluar nëntë klube të cilat do të jenë aktive në federatat respektive, do të thotë në disiplinat përkatëse. Ndërkohë që në kuadër të policisë ato do të zhvillojnë aktivitet në kuadër të Shoqatës Sportive të Policisë së Kosovës. Shoqata Sportive e Policisë së Kosovës do të jetë ombrellë për këto klube, të cilat do të zhvillojnë pastaj gara nëpër federata respektive në disiplina të ndryshme. Normalisht që fillimisht kemi startuar me disa klube me gara, duke përfshirë në karate, në xhudo, ku kemi marrë rezultate jashtëzakonisht të mira me garuesit tanë dhe po përgatitemi që me fillimin e garave stinore të ardhshëm të kyçemi pothuajse në të gjitha disiplinat sportive dhe shpresoj shumë që do të kemi pranim sipas të gjitha zotimeve që i kanë bërë përfaqësuesit e federatave ku ne do të inkuadrohemi”, vijon tutje Ejupi.

Deri tani kanë pasur sukses në disiplinat si karate dhe xhudo, madje kanë fituar edhe në gara ndërkombëtare.

“Për kureshtjen e juaj po ju informoj që me karate dhe me xhudo kemi marrë pjesë në disa turne dhe kemi marrë rezultate edhe në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë që ekipi i Policisë së Kosovës së fundmi ka qenë në një turne, në një policiadë ndërkombëtare në Greqi edhe është shpallë kampion i atij kompeticioni që është një konkurrence e jashtëzakonshme. Prandaj, po them potencial kemi, kapaciteti ka, ka munguar veç çështja e organizimit dhe çështja e organizimit përfundimisht nuk është problem”, ka shtuar Ejupi.

Synimi është është shumë i qartë, që ekipet e policisë të jenë konkurrente me klubet profesionale në Kosovë.

“Absolut po. Do të thotë ne synojmë, nuk kërkojmë rezultate kulminante në start, sepse normalisht çdo fillim është i vështirë, synojmë që të jemi konkurrentë për me të gjitha ekipet tjera në të gjitha disiplinat. sepse kemi kapacitete. Në bazë edhe të statutit që ne e kemi ndërtuar për nevoja të klubeve ne kem drejtë të marrim edhe kapacitete nga familjarët e zyrtarëve policorë. Përveç zyrtarëve policorë e stafit civil që kemi veç në kuadër të ekipeve, mund të marrim edhe nga familjarë, por pse jo edhe nga pjesa civile në të ardhmen nuk do të ketë nuk do të jetë pengesë, po sidoqoftë kemi parë që kapacitetet që i kemi në brenda policisë në disa fushe, në disa disiplina, janë të jashtëzakonshme”, thekson Ejupi.

Aktivitetet aktualisht zhvillohen në mënyrë vullnetare, ndërsa pritet sigurimi i mbështetjes financiare nga shteti dhe sponsorët për të promovuar vlerat dhe imazhin e policisë përmes sportit.

“Për fillim është bërë gjithçka në baza vullnetare, me vullnetin e mirë edhe të drejtorit edhe ne gjithë tjerëve që kemi marrë këto iniciativa e kemi përpunuar këtë punë deri këtu. Ndërkohë që më vonë, sigurisht që do të krijohen mundësi edhe për të marrë subvencione nga shteti, edhe nga komuna, po edhe aktivizimin e donatorëve të ndryshme apo edhe të sponsorëve që me statute e kemi të lejuar t’i marrim, mirëpo për momentin akoma nuk kemi nuk kemi bërë diçka të tillë, edhe pse i kemi negociatat me disa kompani serioze. Sigurisht që ne nuk do të marrim gjithkënd, sepse është klubi i policisë dhe do të përpiqemi maksimalisht që përmes këtij aktiviteti të promovohet policia ose vlerat e policisë, kulturës, policisë sportive në publik”, thotë Ejupi.

Sa i përket aktiviteteve dhe çështjeve tjera teknike por edhe stërvitjeve, Ejupi ka bërë të ditur se momentalisht janë duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitete e federatave respektive sportive, derisa të bëhet një zgjidhje për të pasur terene sportive për ekipet e Policisë së Kosovës. /KosovaPress/

Read Previous

Gjermania miratoi eksporte armësh në Izrael me vlerë 485 milionë euro që nga tetori i vitit 2023

Read Next

Bie qeveria në Holandë, lideri i së djathtës ekstreme tërhiqet nga koalicioni