​Nagavci për pagesën e punonjësve serbë: I kryejnë punët më afër vendbanimit të përhershëm

Mbi 140 mijë euro ka realizuar pagesa Ministria e Arsimit vitin e kaluar, për 32 punonjës serbë të cilët nuk evidentohen që kanë shkuar në punë. Kështu u tha në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, gjatë shqyrtimit të Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore të këtij institucioni.

Ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se këta zyrtarë tashmë janë duke dërguar raportet dhe po kryejnë punën më afër vendbanimeve të tyre. Nga opozita është kërkuar dorëheqja e Nagavcit, ndërkaq nga Prokurori i Shtetit u kërkua hetim i këtij raporti, meqë si tha, ka bazë për vepra penale.

Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami ka paraqitur të gjeturat e këtij raporti, duke theksuar se janë mbi 140 mijë euro pagesë për 32 punonjës të komunitetit serb.

Bajrami: MAShT-i ka realizuar pagesa prej 142 mijë euro për komunitetin serb

“Ka pasur edhe mbivlerësim te Qendra e Studentëve në vlerë prej 147 mijë e 751 euro. MAShT-i gjithashtu ka realizuar pagesa prej 142 mijë për 32 punonjës të komunitetit serb sipas marrëveshjes së Brukselit, të cilët nuk evidentohen për punët dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Sipas raportit të auditimit, edhe pse është raporti për vitin 2021, megjithatë në raportin e ZKA-së ceket që në muajt shkurt dhe mars, Ministria e Arsimit i ka larguar prej listës së pagave, pas reagimit nga ana e zyrtarëve, u është thënë ekipit të auditimit që është arritur një lloj dakordimi me zyrtarët, këta janë kthyer në listën e pagave dhe janë paguar në mënyrë retroaktive”, ka thënë Bajrami.

Për këtë ka folur edhe ministrja Nagavci para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku deklaroi se pas marrjes së detyrës kishte marrë vendim për ndërprerje të pagesave.

Nagavci: Unë si ministre kam kërkuar nga zyrtarët e ministrisë që t’i ftojmë

“Në momentin kur kam marrë detyrën dhe kam analizuar raportin e auditorit për vitin 2020, kam konstatuar se janë 32 zyrtarë që nuk paguhen. Kam kërkuar informata nga zyrtarët e ministrisë dhe i kam pyetur se si është rasti i tyre dhe më kanë thënë se nuk kanë kontakte, numra të telefonit dhe se të njëjtit nuk lajmërohen në punë. Kjo ka ndodhur prej vitit 2015, është bazuar në marrëveshjen e datës 24 dhjetor 2015. Të cilët nga viti 2015 deri në 2021, kur unë kam pranuar detyrën janë paguar në vazhdimësi pa asnjë analizë dhe raportim. Në këtë pikë, unë si ministre kam kërkuar nga zyrtarët e ministrisë që t’i ftojmë se pse këta njerëz paguhen pa ardhur në punë. Dhe më kanë thënë që nuk kanë kontakte. Ju kam thënë që t’i vendosim në zero dhe më kanë thënë që është e pamundur se asnjë qeveri, asnjëherë, nuk është marrë me të njëjtit. Vendimin tim zyrtarët e ministrisë e kanë zbatuar. Pas kësaj, të 32 janë lajmëruar zyrtarisht në email në Ministri e Arsimit. Dhe kanë thënë që ka qenë obligim nga viti 2015 që neve të na krijohen kushtet dhe mundësitë për të kryer punët tona ku e kemi më afër. Dhe askush asnjëherë nuk na ka ftuar dhe nuk na ka kërkuar raportim e asgjë tjetër”, deklaroi Nagavci.

Nagavci shtoi se pagesat kanë filluar të ekzekutohen, pasi të njëjtit kanë filluar të dërgojnë raportet.

Nagavci: Këta zyrtarë i kryejnë punët më afër vendbanimit të përhershëm

“Në këtë situatë, në pamundësi që si Ministri e Arsimit të sigurohemi për të përmbushur obligimin që t’ju krijojmë kushte hapësirat e punës në zyrat e institucioneve në veri, ne jemi siguruar që t’iu kërkojmë raportim të rregullt. I kemi nënshkruar katër marrëveshje të bashkëpunimit me katër komunat. Në bazë të marrëveshjeve këta zyrtarë i kryejnë punët më afër vendbanimit të përhershëm, raportet i kanë të rregullta. Dhe në bazë të punës që kanë kryer, ne i kemi realizuar pagesat”, ka shtuar ajo para anëtarëve të komisionit.

Derisa është komentuar çështja e pagesës së këtyre zyrtarëve, janë përplasur deputeti Rashit Qalaj dhe deputetja Mirlinda Sadiku. Qalaj i ka thënë “papagall” deputetes së LVV-së, Mirlinda Sadiku.

Qalaj-Sadikut: Je bërë si papagall

Qalaj: A po na len rendin neve tjerëve, je bërë si papagall.

Sadiku: Është mirë me tërheq vërejtjen. Nuk ke drejtë askujt me i thënë papagall. Kush jam unë, unë jam Mirlinda. Ti je mësuar atje në krye të policisë, çfarë të thuash ti të bëhet. Kadal se këtu ka rregull.

Qalaj: Nuk ke drejtë, nuk mundesh.

Sadiku: As ti nuk ke drejtë të më drejtohesh ashtu, kryetare tërheqja fjalën.

Më pas, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi ka kërkuar nga bashkëpartiakët që të mos qëndrojnë në mbledhjen e këtij komisioni.

Thaçi: I thërras deputetët e LVV-së që ta lëshojnë mbledhjen

“Unë më nuk mund të vazhdoj këtë mbledhje, pasi që një koleg e ofendon një kolege dhe i thërras edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që ta lëshojnë në mënyrë demonstrative këtë mbledhje”, tha Thaçi.

Deputeti i PDK-së deklaroi se nuk do e tërheq fjalën.

Qalaj: Unë nuk e kam ndërmend që ta tërheq fjalën

“Unë nuk e kam ndërmend që ta tërheq fjalën, atë që e thash kam bazë. Jemi duke pritur të gjithë, në çdo takim jemi duke pritur, e njëjta e merr fjalën çdo herë. Kërkoje fjalën dhe merre si të duash”, ka deklaruar Qalaj.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas këtij debati, ku theksoi se është e papranueshme të quhet papagall, por që siç tha ajo, e ka obligim të vazhdojë raportimin para komisionit.

Më pas, Nagavci ka folur edhe për vonesën e vlerësimit të tenderit për shkollat në lidhje me projektin “Gjuha Shqipe dhe Kompjuterët”, ku deklaroi se është nënshkruar nga qeverisja e kaluar.

Nagavci: E kam dërguar padinë në organet kompetente

“Unë personalisht kam dërguar në organet kompetente padinë dhe për këtë arsyeje është nën hetime, duke u bazuar në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Unë besoj që është nën hetime, por nuk kemi pasur ndonjë reflektim kthyes në lidhje me këtë”, ka shtuar ajo.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka kërkuar nga ministrja që të jap dorëheqje.

Bytyqi: Nuk e di pse nuk po jep dorëheqje

“Ti si ministre ke dështuar, jo vetëm se e ke shkelur kushtetutën, por ti edhe në cilësinë e ministres ke dështuar ku po shihet që arsimi është degraduar edhe më shumë prej që je ardhur ti. Tri të shtuna nuk ke qenë në gjendje që të kesh arsimin në nivel, ku vet e ke bërë planin… Unë nuk e di pse nuk po jep dorëheqje, po më bën shumë kureshtare”, deklaroi Bytyqi.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të hetojë të gjeturat e raportit.

Beqa: E ftoj Prokurorin e Shtetit ta merr në hetim raportin

“Prej 11 rekomandime, shtatë prej tyre kanë të bëjnë me kryerje të veprës penale. Andaj, zyrtarisht e ftoj që Prokurori i Shtetit exofficio ta merr në hetim raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Arsimit për vitin 2021”, ka përfunduar Beqa.

Raporti i Auditorit për vitin e kaluar thekson edhe shpërblimin në vlerë prej më shumë se 80 mijë euro të dy organizatave joqeveritare. Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike u tha se këto dy organizata nuk kanë plotësuar kushtet. Njëra nuk ka dorëzuar certifikatën që është nën hetime, ndërsa tjetra certifikatën e cila tregon që nuk kanë obligime ndaj ATK-së. /KosovaPress/

Read Previous

Parashikimi i motit për ditët në vijim në Gjakovë

Read Next

A do të risistemohen mësimdhënësit e paraleleve të ndara të gjimnazit