Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë pas mbledhjes së qeverisë se vendimi për ngritjen e pagave në sektorin publik është në përputhje me Ligjin për buxhetin dhe Ligjin për paga.
“Sa i përket pagës minimale, paga minimale është në fuqi dhe tashmë që nga paga e tetorit nuk guxon të ketë pagë nën vlerën 350 euro. Përveç me orar të shkurtuar. Përndryshe u nënshtrohen dispozitave ligjore dhe ndëshkimeve ligjore që parashihen edhe me ligjin e punës…Të gjitha autoritetet kontraktuese kanë hapësirën e lëvizjes së buxheteve sidomos tani në tre mujorin e fundit. Jo çdo herë ekzekutohet i tërë buxheti në të gjitha programet. Pra mund të ketë lëvizje aty këtu që mund të kompensojnë apo mund të mbulojnë këtë ndryshim, i cili mund të jetë minimal për një pjesë të kontratave në kuadër të buxhetit të tërësishëm të autoritetit kontraktues”, tha ai.
“Rritja u prezantua me ligjin e buxhetit. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe vitin e kaluar ani pse nuk ka pasur zgjedhje. Të njëjtën gjë pra rritjen e pagave e kemi bërë edhe tetor të vitit 2022 për vitin 2023, edhe pse në 2023 nuk ka pasur zgjedhje. Ka rastisur që zgjedhjet të qëllojnë në muajin shkurt. Përndryshe ligji e parasheh, ligji për pagat e parasheh që pagat apo koeficienti ndryshohet me ligjin vjetor të buxhetit…Kemi tri logje që e përcaktojnë se si bëhet kjo punë dhe në cilat data. Prandaj edhe e kemi këtë vendim të qeverisë të cilin po e bëjmë në kuadër dhe bashkërisht krahas miratimit të buxhetit për vitin fiskal 2025”, shtoi Murati.
Murati tha se me Ligjin për buxhetin po procedojnë rritjen e pagave.
“Ka pasur edhe keqkuptime sa i përket asaj që u prezantua dje, mesa kuptova kishin menduar që vetëm ato kategori që është shfaqur në ekran do të përfitojnë nga rritja, kjo është pasaktë, të gjithë shërbyesit publik do të përfitojnë nga rritja, ato kategori ka qenë vetëm sa për ilustrim. Sa i përket ligjshmërisë ne pikërisht këtë po e bëjmë, me ligj të buxhetit po e procedojmë rritjen e pagave, nuk ka pasur vendim të qeverisë dje. Ne po e procedojmë përmes ndryshimit ligjor, në këtë rast përmes ligjit për ndarje buxhetore, i cili miratohet në Kuvend dhe pas miratimit në Kuvend edhe fillon zbatimi, nuk ka të bëjë me paligjshmëri”, ka thënë Murati.
Murati, në konferencë për media pas mbledhjes së ekzekutivit, bëri të ditur se normat e reja tatimore për bizneset do të hynë në fuqi nga viti 2026 dhe jo nga viti 2025 siç është paraparë në Ligjin për tatimin në pronë.
“E kemi konsideruar që marrë parasysh nevojën që të mos hyjë në vitin fiskal të ri duke mos e pasur sistemin funksional dhe të sigurt dhe pastaj të vonohet shpërndarja e faturave të tatimit në pronë, përmes ligjit të buxhetit të shtyjmë afatin e zbatimit të hyrjes në fuqi të tatimit progresiv të bëhet në vitin tatimor 2026 dhe deri atëherë mund të kemi kohën e mjaftueshme edhe të marrim mendimet dhe diskutimet nga komunat nëse kanë ndryshuar mendje, por edhe të ndërtojmë sistemin dhe ta përshtatim me çfarëdo rezultati që mund të kemi nga ky diskutim”, tha ai.
Qeveria e Kosovës dje ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm t’i rrisë pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro./KosovaPress