Javën e fundit është ulur numri i personave të infektuar me koronavirus në Kosovë dhe në të njëjtën periudhë ka rënë edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Profesionistët bëjnë thirrje për vaksinim, duke shtuar se ka mundësi që të ndryshojë situata pandemike. Edhe shoqata e infektologëve të Kosovës po e konsideron shqetësuese rritjen e hezitimit të qytetarëve për vaksinim, sidomos te të rinjtë.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilëve e kanë kaluar koronavirusin në muajt e fundit që të vaksinohen me vaksinën kundër sëmundjes infektuese. Të dhënat shkencore sugjerojnë se ata që e kanë kaluar COVID-19, mund të vaksinohen dy javë pas shërimit.
Imuniteti natyral i fituar nga kalimi i sëmundjes vjen duke u dobësuar me kohë dhe për më tepër, jo të gjithë ata që e kalojnë COVID-19 fitojnë imunitet të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga ri-infeksioni, thuhet në një komunikatë për media. Prandaj, me qëllim të parandalimit të ri-infeksionit, Ministria e SHëndetësisë u bën thirrje këtyre qytetarëve që të vaksinohen si mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet.
Poashtu edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe institucionet gjegjëse kanë bërë thirrje për të gjithë qytetarët që krahas vaksinimit, t’i zbatojnë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.