​Liberalizimi i vizave për Kosovën, kërkohet zgjidhje e shpejtë

Liberalizimi i vizave ishte tema kryesore në diskutimin për agjendën evropiane të Kosovës, të martën në Komisionin për Integrime Evropiane, pjesë e së cilës ishin edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Heqja e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë në vitin 2022 u tha se është e domosdoshme për perspektivën evropiane të vendit. Përkrahje për një gjë të tillë ofruan edhe ambasadori gjerman dhe ai çek në Kosovë.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde tha se duhet një zgjidhje e shpejtë për liberalizim të vizave për Kosovën.

Ai theksoi nevojën e reformave evropiane në Kosovë, derisa nënvizoi prioritetin e Gjermanisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Rohde: Për liberalizimin e vizave duhet një zgjidhje e shpejtë

“Që nga marrja e detyrës vitin e kaluar, kancelari Scholz e ka thënë shumë herë, dhe së fundmi, të shtunën e kaluar, në një kongres në Berlin, se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është prioritet i politikës së jashtme gjermane. Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës është rikujtim i urgjencës për të mbajtur jo vetëm Evropën të bashkuar, por për të thelluar edhe më tej integrimin evropian. Nga njëra anë përmes reformave të brendshme, por nga ana tjetër edhe përmes një zgjerimi të shpejtë në krahun e saj të Evropës Lindore. Sa më shpejt, aq më mirë. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që dua ta them sot, kjo vlen edhe për diskutimin aktual për liberalizimin e vizave nga këndvështrimi ynë. Këtu na duhet një zgjidhje e shpejtë. Besoj se ne të gjithë pajtohemi se e ardhmja e Kosovës është në BE, dhe jemi gjithashtu dakord që kjo rrugë e rëndësishme kërkon shumë reforma dhe procese të brendshme transformuese. Me fjalë të tjera, anëtarësimi në BE është një objektiv në vetvete, por reformat që do të ndërmerren janë të rëndësishme për të krijuar institucione efektive dhe transparente, dhe ekonomi konkurruese, dhe standardet evropiane në Kosovë si të tilla, i shërbejnë interesit të qytetarëve të vendit”, tha ai.

Mbështetje për liberalizimin e vizave ofroi edhe ambasadori çek Pavel Bilek, i cili tha se është prioritet i Presidencës Çeke të Këshillit Evropian.

Ai dha detaje edhe për takimin e fundit të grupit punues lidhur me liberalizimin e vizave, për çka tha se i njëjti ka mbështetur një gjë të tillë, por duhet të sqarohen edhe disa tema në muajin e ardhshëm.

Bilek: Grupi punues ka mbështetur procesin e liberalizmit të vizave, duhet të sqarohen edhe disa tema

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është në krye të agjendës së kryesisë çeke. Kryesia tashmë ka nisur me diskutimin dhe punën në Këshill. Më 12 tetor, Këshilli i BE-së mbajti diskutimin e parë për liberalizimin e vizave me Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian prezantoi raportin teknik të përditësuar për këtë temë, i cili rikonfirmoi se Kosova po vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave. Grupi punues në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Për të përparuar në këtë çështje do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi muajin e ardhshëm. Kryesia çeke do të vazhdojë përpjekjet e saj për marrjen e vendimit politik në Këshillin e BE-së deri në fund të mandatit të saj”, tha ambasadori çek.

Nga ana tjetër, kritika lidhur me vonesat në këtë proces u shfaqi kryetarja e komisionit, Rrezarta Krasniqi.

Krasniqi: 2022, vit i rëndësishëm për procesin integrues të Kosovës

“2022 është vit i rëndësishëm për procesin integrues të Kosovës. Pas dhjetë vjetësh dialog për procesin e liberalizimit të vizave, të gjithë qytetarët e Kosovës tani i kanë sytë kah Bashkimi Evropian për t’i dhënë fund izolimit të vendit tonë. Procesi i liberalizimit të vizave ka thyer të gjitha rekordet famëkeqe. Ai zgjati më shumë se procesi i liberalizimit të vizave për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor… Sidoqoftë, kjo është një histori dhe tani në fund jemi pranë momentit kur qytetarët tanë do t’i gëzohen lëvizjes së lirë”, shtoi ajo.

Ndërsa, Johannes Stenbaek Madsen nga Zyra e BE-së në Kosovë, paraqiti progresin e Kosovës në disa fusha që janë evidentuar në raportin e progresit për vitin 2022.

Madsen: Kosova ka bërë progres pothuajse në të gjitha fushat

“Kosova ka bërë progres pothuajse në të gjitha fushat, si lëvizja e lirë e mallrave, punëtorëve dhe kapitalit, ligji për shoqëritë tregtare, pronësia intelektuale, politika e konkurrencës, shërbimet financiare. Në aspektin më pak pozitiv, Kosova ka bërë përparim të kufizuar në politikën e konsumatorëve dhe mbrojtjen e shëndetit. Kosova ka bërë progres pothuajse në të gjitha fushat, transformimin digjital dhe mediat, politikat sociale, punësimin, arsimin, kulturën. Kosova është mesatarisht e përgatitur sa i përket politikës ekonomike dhe monetare, për ndërmarrjet dhe politikën industriale”, deklaroi ai.

Lidhur me këtë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se një prej mospajtimeve të tij me raportin për vendin është se nuk i ka dhënë kredibilitetin e nevojshëm maturitetit fiskal.

Bislimi: Një prej mospajtimeve me raportin është se nuk ia ka dhënë kredibilitetin e nevojshëm maturitetit fiskal

“Për mua, ajo çka është e rëndësishme është se raporti fillon me stabilitetin politik. Nuk mundet të ketë progres të mirëfilltë drejt BE-së nëse karakterizohemi me jo-stabilitet politik. Kjo është dyfish më e rëndësishme kur vendi ballafaqohet edhe me sfida të paparashikuara. Mendoj se në 100 vjetët e fundit ka pak periudha jashtë luftërave kur regjioni dhe kontinenti është përballur me disa sfida të njëhershme. Pandemia, kriza inflacionit, kriza energjetike, lufta në Ukrainë dhe të tjera. Mendoj se raporti tregon se këto periudha ose sfida qeveria është gjetur bukur mirë. Nëse shihni vaksinimin kemi normën më të lartë të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor, nëse e shihni se si iu kemi qasur çështjes së energjisë dhe inflacionit, raporti tregon se qeveria ka pasur qasje të mirë dhe ka treguar maturitet fiskal. Mendoj se një prej mospajtimeve me raportin është se nuk ia ka dhënë kredibilitetin e nevojshëm këtij maturiteti fiskal. Është alfa dhe omega, pasi shumë çka varet në periudhat e krizave të tilla për t’i rezistuar masave populiste”, theksoi Bislimi.

Në debat u përfshinë edhe deputetë, të cilët ri-përsëritën kërkesën për liberalizim të vizave për Kosovën. /KosovaPress/

Read Previous

Osmani e Kurti takohen me deputetët portugez, kërkojnë që liberalizimi i vizave të mos mbetet peng

Read Next

Escobar nesër në Kosovë, mbledh sërish krerët e Opozitës