Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën është takuar me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit është thënë se kanë diskutuar edhe marrëdhëniet bilaterale.
“Folën për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, temat aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend”.
Ndërsa, në këtë takim Kurti ka pranuar edhe një libër nga ambasadori.
“Gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti pranoi nga ambasadori gjerman Rohde një kopje të librit “Gjermania dhe Kosova: Historia e një partneriteti” nga autorët Enrico Seewald dhe Urs Unkauf, që përshkruan dhe shtjellon historikun e raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe popujve”.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës, e ka falënderuar ambasadorin për bashkëpunimin e afërt, dhe shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Më 28 nëntor, ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një prononcim të shkurtër për media pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka bërë të ditur se Gjermani do të dërgojë rreth 150 trupa shtesë në Kosovë në javët në vijim.
Kryediplomatja gjermane ndër të tjera ka theksuar se angazhimi i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor shkojnë paralelisht.
“Misioni EUFOR garanton sigurinë në Bosnje e Hercegovinë dhe KFOR-i në Kosovë. Gjermania do të kontribuojë deri në 150 trupa shtesë për KFOR-in”, ka thënë shkurt ajo.
Po ashtu, së fundmi donacione nga Gjermania ka pranuar edhe ministria e Mbrojtjes. /Albanianpost.com