​Kurti: Gjendja e komuniteteve nuk është e mirë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjendja e komuniteteve romë, ashkalinjë e egjiptianë nuk është e mirë.

Sipas tij, komunitet RAE po përballen me diskriminim, varfëri dhe mungesë të shanseve në aspektin socio-ekonomik. Në hapjen e samitit të parë të Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor, Kurti u zotua se një nga objektivat më të rëndësishme mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit për përmirësimin e të drejtave të komuniteteve.

Ai shtoi se ky samit ka për qëllim krijimin e praktikave të vendeve të ballkanit që të luftohet diskriminimi i komuniteteve.

Kurti: Përgjegjësi institucionale por edhe vetëdijësim shoqëror

“Ky samit ka për qëllim krijimin e një praktike të mbledhjes së akterëve kryesor për të diskutuar se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të luftojnë diskriminimin ndaj komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë, duke bashkëpunuar dhe ndarë praktikat më të mira institucionale, në mënyrë që të rritet mirëqenia e të përmirësohet cilësia e jetës së komuniteteve në vendet e rajonit tonë. Na duhet angazhim i përbashkët që të gjithë qytetarët tanë të ndjehen dhe të jenë pjesë e barabartë, si edhe vlerë e shtuar e shoqërisë. Krahas ndërgjegjësimit institucional si pikënisje, na duhet puna e përbashkët edhe me qytetarët. Pra, përgjegjësi institucionale por edhe vetëdijësim shoqëror”, ka thënë Kurti.

Kurti u zotua se ekzekutivi do të vazhdojë përkushtimin për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të komuniteteve.

Kurti: Gjendja e komuniteteve nuk është e mirë

“Ka ende shumë sfida, ngase gjendja e komuniteteve nuk është e mirë si nga aspekti i diskriminimit, po ashtu edhe nga ai i varfërisë edhe mungesa e shanseve në aspektin socio-ekonomik. Progresin e zhvillimit të shoqërive tona mund ta masim jo me atë se sa mirë jetojnë ata që kanë më së shumti, sepse ne e dimë që ata që kanë më së shumti ja bëjnë vetes qaren kollaj e shpejt. Por, ata të cilët kanë më së paku. Andaj si kryeministër i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim përkatësie etnike, feje apo prejardhje angazhohem për të gjithë njëlloj, por më së shumti e më së pari për ata të cilët kanë më së shumti nevojë”, ka shtuar Kurti.

Shefi i ekzekutivit në hapjen e këtij samiti ka shtuar se janë ndarë bursa për studentët e të tri komuniteteve me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të gjendjes së tyre.

Kurti: Një nga objektivat mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit

“Një nga objektivat më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionet që përmirësojnë dhe përmbushin të drejtat e të gjithë qytetarëve në vend, sidomos me fokus grupet më të margjinalizuara të shoqërisë. Po punojmë bashkë për të përmbushur synimet e programit të qeverisë, ku prioritet në kuadër të qëllimeve strategjike dhe objektivave operacionale të Zyrës së Kryeministrit është edhe përmirësimi dhe avancimi i gjendjes së komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë. Me këtë qëllim kemi ndarë bursa për 100 nxënës të komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë për studime në Fakultet të Edukimit… Po ashtu, kemi ndarë 500 bursa për studentët e komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë në drejtime të tjera të studimeve përveç edukimit”, ”, ka përfunduar Kurti.

Drejtori e organizatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, Isak Skenderi deklaroi se komunitetet nuk po gëzojnë të drejtat e tyre dhe po u mungojnë mundësitë.

Skenderi: Romët janë bllokuar në një rreth vicioz përjashtimi

“Sot në Kosovë, si kudo në vendet e Ballkanit Perëndimor, romët janë të bllokuar në një rreth vicioz përjashtimi. Ata nuk i gëzojnë të drejtat e tyre dhe u mungojnë mundësitë, pa mbrojtje, ata nuk janë të fuqizuar dhe një numër i madh i të rinjve romë përballen me mungesë të mundësive për të pasur qasje në hapësirë digjitale të shpejt të kërkuar nga tregu i punës në sektorin privat. Mungesa e njohurive për historinë e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve dhe kulturës së tyre janë ndër shtypësit kryesor të antigjipsizmit në Kosovë. Antigjipsismi gjithmonë mohohet nga ofruesit e shërbimeve, të cilët pretendojnë se i trajtojnë të gjithë njësoj”, ka deklaruar ai.

Kryeministri Albin Kurti tha senjë pjesë e madhe e diskriminimit ndodhë për shkak se mbetet në heshtje e nuk raportohet. Platforma digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitet romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Ai ka ftuar që të raportojnë rastet e diskriminimit në këtë platformë. /KosovaPress/

Read Previous

Më 2023 Qeveria planifikon ndërtimin e disa autostradave

Read Next

​Hidhet shorti i Ligës së Kampionëve, përballje të zjarrta me dy super derbi