​Kurti dënon sulmin në “Trepçë”, premton investime mbi 70 milionë euro për ndërmarrjen

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vizitua sot ndërmarrjen “Trepça” në Mitrovicë, nga ku dënoi sulmin fizik të ushtruar ndaj u.d. të drejtorit ekzekutiv të “Trepçës”, Enis Abdurrahamni, me bashkëpunëtorë, duke i dhënë mbështetje të plotë këtij të fundit dhe bordit aktual. Ndërkohë që u zotua se në dy vitet e ardhshme do të investojnë mbi 70 milionë euro në këtë ndërmarrje.

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe dy deputetë të kësaj partie që vijnë nga Mitrovica në konferencë për medie tha se ndjen keqardhje për atë që ka ndodhur, e aq më tepër për kërkesën e këshillit grevist, për të cilët tha se kanë kërkuar që të lënduarit të tërheqin deklaratat e tyre në Polici.

Ai tha se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur në asnjë mënyrë. Kurti derisa dënoi sulmin zotohet se nuk do të ketë asnjë individ e grup më të fuqishëm se shteti.

“Na vjen shumë keq se çfarë ka ndodhur, një sulm i organizuar, i dhunshëm mbi udhëheqjen, në këtë rast e dënojmë ashpër një sulm të tillë, i cili është i drejtuar kundër ‘Trepçës’ dhe nuk është për të mirën e Kosovës. Si kryeministër i Kosovës, zotohem se nuk do të ketë asnjë individ e as grup më të fuqishëm se shteti. Ata të cilët si individ a grupe synojnë të jenë më të fuqishëm se shteti bien në kundërshtim me ligjin. Ushtrues i detyrës së kryeshefit është z. Enis Abdurrahamani dhe ai e ka mbështetjen time të plotë”, tha ai.

Kurti shprehi habinë se si disa njerëz që kanë sulmuar u.dm së kryeshefit të “Trepçës”, kanë bërë kërkesë për tërheqje të deklaratave të të lënduarve.

“Këshilli grevist ka bërë edhe kërkesë që ata të cilët e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve, që nuk dihet bash krejt kush janë, që ata që i kanë paraqitur deklaratat në polici, t’i tërheqin ato. Merreni me mend, nuk ju ka mjaftuar që e kanë sulmuar drejtorin, por një ndër kërkesat është që ata që kanë paraqitur deklaratat t’i tërheqin ato. Kjo është e pashembullt dhe nuk do të ndodhë”, shtoi Kurti.

Me këtë rast, ai foli edhe për çmimet e bursës dhe përkushtimin që si qeveri kanë për ndërmarrjen Trepça.

Kurti derisa u zotua për investimet për dy vitet e ardhshme në ndërmarrjen “Trepça”, foli edhe për investimet që ishin bërë në këtë ndërmarrje gjatë kohës së Qeverisë Kurti I.

“Është lajm i mirë për Trepçën që çmimet në bursë janë ngritur, çmimet e plumbit dhe zinkut janë ngritur dhe janë të larta si asnjëherë. Jemi të lumtur që kur ishim në qeverisje pranverën e kaluar, e kemi dëshmuar edhe për Trepçën edhe për punëtorët që jemi të përkushtuar. Në kushte pandemie i kemi ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën dhe atë 2.6 milionë kanë qenë për rimëkëmbjen, diku 2.3 milionë për paga dhe rreth 1.2 milionë kanë qenë për investime kapitale. E në dy vitet në vijim, do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investimet në ‘Trepçë’”, tha ai.

Vizita e sotme e cila u përcjell me një takim që zgjati për më shumë se një orë vjen pas incidentit kur drejtori Enis Abdurrahmani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, janë sulmuar në vendin e tyre të punës nga disa persona, me ç’rast kanë marrë lëndime dhe janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës.

Read Previous

ShSKUK: 59 pacientë po trajtohen nga COVID-19

Read Next

Rohde: Gjermania mbetet partner i palëkundur në rrugën e Kosovës drejt BE-së