Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se qëllimi i partive që deri tani ishin në opozitë nuk është formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mirëpo vazhdimi i bllokadës dhe krizës politike.
Pas dështimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit për herë të 27-të, ajo tha se këto parti parlamentare qëllimshëm nuk po marrin pjesë në votim për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen në mënyrë të fshehur të kryeparlamentarit.
“Qëllimi i partive opozitare nuk është zgjidhja por vazhdimi i bllokadës që ata vet e kanë krijuar qysh në fillim të sagës së këtyre seancave të vazhdueshme. Fillmimisht kanë refuzuar komisionin për verifikimin e mandateve dhe më pastaj duke refuzuar të marrin pjesë në votim për komisionin verifikues për votim të fshehtë të kryeparlamentarit”, tha ajo.
Madje, Kryeziu-Hyseni para gazetarëve tha se në procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve ata nuk do të votojnë për asnjë deputetë të LDK-së, kurse për ata të PDK-së tha se votojnë vetëm Nait Hasanin dhe Sala Jasharin.
“Është qëndrim i joni që nuk do të votojmë asnjë emër tjetër nga radhët e PDK-së përveç Nait Hasanit dhe Sala Jasharit. Ndërkohë që edhe ne kemi vendosur reciprocitet ndaj LDK-së dhe nuk pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre. Nëse duam që të hyjmë në ciklin e dëshirave dhe të shndërrojmë Kuvendin në vend të dëshirave, e jo në vend të numrave atëherë le të vendosim këso lloj kriteresh”, tha ajo. /KosovaPress/