​Krasniqi: As herën e parë dhe as të 100-në, nuk kalon Albulena Haxhiu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se Albulena Haxhiu nuk do të kalojë as herën e parë, as të dhjetën e as të 100-tën për kryeparlamentare, duke theksuar se Kuvendi nuk meriton një figurë të tillë në krye.

Krasniqi ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) të ndryshojë kandidatin dhe të sjellë një propozim që mund të marrë shumicën e votave të deputetëve, për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Sipas Krasniqit, LVV, e cila ka dalë e para në zgjedhje, po luan një lojë të ulët duke e mbajtur peng Kuvendin dhe duke injoruar verdiktin e qytetarëve.

“As herën e parë, as të dhjetë e as të 100-të, nuk kalon Albulena Haxhiu, sepse nuk e meriton ky kuvend të ketë në krye një figurë të tillë. Ne pavarësisht sjelljeve të tyre, qëllimet dhe interesat e qytetarëve i kemi prioritet. Andaj, i ftojmë të ndërrojmë kandidatin, që të vinë dhe të sjellin një propozim i cili vërtetë mund të jetë rrugëdalje, që mund të marrë shumicën e votave të deputetëve, të konsituojnë kuvendin dhe t’i japim rrugë afateve kushtetuese për themelimin e qeverisë. Albin Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër, kjo është arsyeja themelore pse po e mban peng shtetin e kuvendin. Sepse përndryshe i bie, që për më e rëndësishme është Albulena Haxhiu sesa 966 mijë votues të Republikës së Kosovës që kanë dhënë verdiktin e tyre, që është të ketë një zgjidhje tjetër. Keqardhje të vërtetë, gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë lojë të ulët, të cilën kjo parti që ka dalë e para në zgjedhje që s’ka shumicë parlamentare po vazhdon që të luajë”, ka theksuar Krasniqi.

Krasniqi ka cituar një definicion të njohur që i atribuohet Albert Ajshtajnit: “Është vërtetë marrëzi të përsëriten veprimet e njëjta duke pritur rezultate të ndryshme”, duke e lidhur këtë me situatën aktuale në Kuvend. Ai ka theksuar se sa herë që të përsëritet propozimi për Albulena Haxhiun, ai nuk do të kalojë.

“Është një definicion i famshëm që atribuojnë Ajshtajnit por që s’është e sigurte që e ka thënë ai “është vërtetë marrëzi që të përsëriten veprimet e njëjta duke pritur rezultate të ndryshme” kjo vlen për këtë situatë. Sa herë që të përsërisin propozimin e Albulena Haxhiu nuk do të kalojë”, ka shtuar Krasniqi. /KosovaPress/

Read Previous

Trump me gafë të re

Read Next

Gërvalla: Kurti nuk i quajti hajvanë deputetët, por vetëm një person