Kosova është gati të shkëlqejë sërish në skenën më të madhe të xhudos botërore! Kampionati Botëror për Seniorë, i cili zhvillohet nga data 13 deri më 20 qershor në Budapest, Hungari, do të mbledhë 557 xhudistë nga 93 shtete të përfaqësues nga gjashtë kontinente, transmeton KosovaPress.
Kosova, vendi që ka treguar dominim të vazhdueshëm në këtë sport me medalje olimpike e botërore, do të përfaqësohet me krenari nga tre prej emrave më të njohur të saj në xhudo:
Distria Krasniqi në kategorinë -52 kg, do të garojë të shtunën
Akil Gjakova në kategorinë -73 kg, do të ndeshet të dielën
Laura Fazliu në kategorinë -63 kg, do të jetë në garë të hënën
Kombëtarja e Kosovës udhëhiqet nga kryetrajneri Driton Kuka, një emër i madh në sportin e xhudos, i shoqëruar nga trajnerët Fatos Tabaku dhe Majlinda Kelmendi, kampione olimpike që tashmë ka kaluar në rolin e trajneres dhe mentores së brezit të ri të kampionëve.
Kjo ngjarje madhore vjen në një periudhë të rëndësishme për xhudon kosovare, e cila vazhdon të jetë simbol krenarie për sportin kombëtar dhe ambasadore e denjë e shtetit në arenën ndërkombëtare.
Me përkushtim, disiplinë dhe përgatitje intensive, sportistët tanë synojnë që edhe këtë herë të ngjiten në podium dhe të sjellin lavdi për flamurin e Kosovës./KosovaPress