Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij, Bushra Khan, janë dënuar secili me nga 14 vjet burgim lidhur me shitjen e paligjshme të dhuratave shtetërore, tha partia e tij më 31 janar.
Në këtë vendim po ashtu përfshihet përjashtimi për dhjetë vjet i mbajtjes së ndonjë posti publik, tha partia e Khanit, Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI). Bushra Khan, që njihet më shumë si Bushra Bibi, u arrestua pak pas vendimit, tha PTI.
Dënimi i shqiptuar nga një gjykatë në Islamabad për këtë rast të korrupsionit vjen një ditë pasi Khan u dënua me dhjetë vjet burgim për një rast tjetër, pasi u gjet fajtor se kishte zbuluar sekrete shtetërore.
Dy dënimet ndaj ish-kryeministrit vijnë një javë para se në Pakistan të mbahen zgjedhjet kombëtare.
“Edhe një ditë e trishtuar në historinë e sistemit tonë gjyqësor, i cili po shkatërrohet”, tha për mediat ekipi i Khanit, duke mohuar akuzat.
“[Gjatë gjykimit] nuk u lejua që të merreshin në pyetje dëshmitarët, nuk pati argumente përmbyllëse dhe vendimi doli si i paracaktuar. Ky është vendim qesharak që do të sfidohet”, tha ekipi.
Në gusht të vitit 2023, një gjykatë tjetër dënoi me tre vjet burgim Khanin pasi e gjeti fajtor se kishte shitur dhurata në vlerë prej 501.000 dollarësh, që ishin në pronësi të shtetit dhe të njëjtat ai i kishte pranuar gjatë mandatit të tij si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022.
Vendimi i së mërkurës nuk lidhet me rastin paraprak, por ka të bëjë me rastin e iniciuar pas hetimeve të kryera nga trupi kryesor në Pakistan kundër korrupsionit, Byroja Kombëtare e Llogaridhënies, institucion që po ashtu ka ngritur aktakuzë ndaj bashkëshortes së Khanit në këtë rast penal./KP/