​Haxhiu për propozimin e LDK-së: E papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve

Propozimi i Lidhje Demokratike të Kosovës është i papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje dhe i gabuar sipas të propozuarës për kryekuvendare, Albulena Haxhiu.

Haxhiu para gazetarëve tha se ka tendencë të injorohet vullneti i qytetarëve të Kosovës.

“Është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, ne nuk është që kemi pasur zgjedhje para 2-3 viteve, ne zgjedhjet në Kosovë i kemi pas para 3 muajve. Prandaj, ka një tendencë të hapur që ky vullnet i popullit të injorohet. Ju e dini që LVV është subjekti më i madh në vend me mbështetjen më të madhe qytetare dhe kryeministri Kurti është kandidati me më së shumti mbështetje qytetare. Kushdo që tenton me injorua këtë vullnet e ka gabim dhe kjo fare nuk mendoj se mirëkuptohet nga qytetarët e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas dështimit të votimit të Komisionit Ad-Hoc për votim të fshehtë të kryekuvendarit tha se po mungon vullneti i opozitës për konstituim të Kuvendit.

E propozuara e LVV-së për kryetar të Kuvendit tha se e ka të paqartë pozicionin e opozitës.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, pastaj të hapet rruga për formimin e qeverisë. Por, duket hapur që ende mungon vullneti i opozitës për të dhënë kontribut që të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Jemi në një situatë ku ata nuk po marrin pjesë në votim edhe përkundër faktit që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thekson që deputetët në seancë konstituive duhet të jenë të gjithë të pranishëm, dhe të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë. Për mua është i paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votim në mënyrë që të vazhdojmë me votimin e fshehtë“, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka kërkuar një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit të vendit në vitin 2026.

Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë. /KosovaPress/

Read Previous

​Sveçla reagon pas operacionit policor në veri

Read Next

Raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës: 1955 gjoba trafiku dhe 59 aksidente