Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani deklaroi se nuk e voton një qeveri të Vetëvendosjen, teksa shtoi se kjo parti “nuk është treguar korrekt ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë”.
Ai ka pranuar se ka pasur kërkesë për mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje, por tha se qëndrimi i tij ka qenë kundër.
Para fillimit të seancës konstituive, e cila është përpjekja e 26-të për konstituim, Hasani tha se nga fillimi i fushatës e ka bërë të ditur qëndrimin e tij.
“Nuk jemi armiq ne, jemi kolegë në Kuvend. Bisedojmë për halle tona të përditshme, për gjendjen politike, për angazhimet për të gjitha… Ju kam dhënë përgjigjen që në fillim të fushatës e kanë qëndrimin tim, nuk do ta votojë një qeveri me Vetëvendosjen, për shkak se nuk janë treguar korrekt ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë”, deklaroi Hasani.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëjë kompromis.
“Po shpresojmë, zgjedhjet lokale katër muaj kanë mbetur nga procesi. Nëse nuk ndryshon një gjë, është mjerim politik i partive politike por edhe kryetarëve vetvetiu, ata duhet të gjejnë zgjidhjen, zgjedhja është te ta, jo te deputetët, nuk kanë nevojë të ngarkohen deputetët, ata duhet të marrin qëndrimin. Për hir të Kosovës duhet ta bëjnë edhe kompromisin, edhe partia e parë edhe të tjerat”, shtoi ai.
Ai ka pranuar se ka pasur kërkesa për takim nga Lëvizja Vetëvendosje, por shtoi se e ka bërë të ditur qëndrimin e tij kundër.
“Kam pasur kërkesa, jo si oferta, si mbështetje. Kanë kërkuar që të mbështeti ju kam thënë që nuk ka një mundësi… Ato janë biseda që kemi pasur për burgun e Dubravës, ka qenë një ndjenjë e dhimbshme e një vrasje e një masakre që ka ndodhë në majin e 99. Ne kemi biseduar për të gjitha problemet, por nuk është ajo një çështje që ka dominuar aty. Nuk e meritojnë votën pikërisht për mos mbështetjen e Gjykatës Speciale, atje nuk është Hashimi por atje është presidenti i vendit, është UÇK-ja, është Kosova. Duhet t’i mbrojmë, kjo ka qenë kërkesa ime. Ata që e përmbushin këtë kërkesë, i mbështes”, përfundoi ai.
Deputetët sot do të provojnë për të 26-ën herë ta konstituojnë Kuvendin./KosovaPress