Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka treguar arsyen që, sipas saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka propozuar emrin e saj si të pranueshme për kryetare të Kuvendit.
Ajo tha një gjë e tillë nuk ka ndodhur se ka qenë viktimë e luftës së fundit, mirëpo që ka qenë nënkryetare në legjislaturën e fundit të Kuvendit.
Përkitazi me këtë, Bogujevci tha se “pse ka qenë viktimë e luftës nuk do të thotë se është e kontrolluar”.
Megjithatë, Bogujevci nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk tërhiqet nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, pavarësisht se në 24 tentime nuk po arrihet të konstituohet Kuvendi.
“Është menduar që unë kam qenë ulur lartë atje si nënkryetare dhe i ka ra në mend dikujt si propozim. Kështu ka qenë propozimi i personit në fjalë. Unë nuk kam qenë vetëm një viktimë e luftës ku më është vrarë familja dhe jam viktima. Kam luftu me Serbinë prej kur kam qenë fëmijë. Krejt fëmijëria ime dhe shumë kohë para se me hy në politikë unë kam pas luftë me Serbinë dhe kam bërë vet me familjen time… Duhet të kuptojmë se vetëm pse jemi viktima të luftës nuk do të thotë se jemi të kontrolluara, ne nuk e kemi mendjen tonë dhe nuk dimë asgjë e forma të tjera që prezantohen. Edhe ne kemi mendim. Mundemi me pas mendime të ndryshme por dina diçka. Kemi njohuri dhe shkollim dhe fjala jonë ka peshë”, tha ajo.
Këto komente Bogujevci i bëri duke hyrë në objektin e Kuvendit, për vazhdimin e 25-të të seancës konstituive./kp