​BE dhe UNDP do të ndihmojnë 7500 familje në varfëri të skajshme

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë lansuar sot aktivitetin e përbashkët për të ndihmuar qytetarët, veçanërisht të prekur nga pandemia COVID-19.

Projekti i Ndihmës Humanitare (HAP) i financuar nga BE, i implementuar nga UNDP, do të sigurojë burime njerëzore shtesë për Qendrat për Punë Sociale në tërë Kosovën, përkatësisht 40 vullnetarë të OKB-së/punonjës socialë dhe mbështetje të përkohshme për rreth 7500 familje që jetojnë në varfëri të skajshme duke shpërndarë çdo muaj, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, kuponë për ushqim, higjienë dhe artikuj të tjerë të nevojshëm nga muaji maj 2021.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se BE krahas ndihmës me kontingjentet e vaksinave do të ndihmojë edhe kategoritë e tjera të shoqërisë.

“BE është këtu për të ndihmuar popullin e Kosovës dhe krahas kontingjenteve me vaksina ne duam të ndihmojmë edhe kategoritë tjera të shoqërisë. Ndihma ekonomike për familjet që jetojnë në varfëri, do të ndahen kuponët për të blerë gjëra. Rezultati i dytë është vendosja e punëtorëve të kualifikuar në qendrat për punë sociale”, tha ai.

Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë, tha se pandemia në Kosovë ka goditur ata që tashmë kishin vështirësi.

“Kosova dhe populli i saj nuk janë kursyer nga efektet e pandemisë, kriza ka goditur ata që tashmë kishin vështirë për t’ia dalë mbanë. Ne jemi bashkuar si të ofrojmë ndihmë për ata që janë goditur. Amvisëritë familjare, Viktimat e dhunës mbi bazë gjinore, kjo është edhe në thelb të përpjekjes për rikuperim. Tash kemi mundësi që t’iu ndihmojmë atyre që janë në vështirësi më të madhe”, tha ajo.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se si ministri e vlerësojnë këtë projekt që do të ndihmojë qytetarët e Kosovës.

“Ky program është mëse i mirëseardhur për ato familje. Do të jemi mbi 7 mijë familje që janë përzgjedhur dhe janë përfshirë familje që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Read Previous

Bitcoin pëson rënie prej 18 për qind brenda një jave

Read Next

Vazhdon pastrimi i lumit Erenik