​ATK mbështetur nga USAID lanson tri shërbime të reja elektronike

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë lansoi tri shërbime të reja elektronike të ATK-së.

Këto tri shërbime elektronike do të ndihmojnë tatimpaguesit të bëjnë vlerësim të obligimeve tatimore, të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani tha se këto shërbime kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve tatimore që u ofrohen qytetarëve si dhe i kontribuojnë reformimit të brendshëm të ATK-së.

Ai potencoi se kanë nënshkruar një marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 20 milionë euro, përmes së cilës parashihet rritja e sistemeve elektronike, mbrojtja e të dhënave si dhe rritja e numrit të shërbimeve të ofruara të institucioneve.

Ndërkaq, drejtori në Zyrën për Rritje Ekonomike në USAID, Alexander Albertine tha se lansimi i këtyre shërbimeve do të përmirësojë më tutje përvojën e tatimpaguesve.

Ai tha se është shumë inkurajuese që përmes këtyre përfitimeve që janë bërë, ATK vazhdon që të përmirësojë shërbimet për tatimpaguesit, derisa u shpreh i sigurtë që ATK do të përfitojë edhe më shumë.

“Do të ketë përmirësim të integritetit. Ne si USD kemi pasur kënaqësinë që kemi qenë pranë ATK-së në përmirësimin e integritetit. Ju inkurajoj që të shërbeni si kampion i ndryshimit të ndërtuar mbi qeverisje të mirë”, tha Albertine.

Ndërsa, drejtori Ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj tha se përkrahja e USAID në ngritje të kapaciteteve të ATK-së datojnë që nga themelimi i ATK-së.

Murtezaj theksoi se përkundër vështirësive, ATK vazhdon të shtojë numrin e tatimpaguesve, të rris kualitetin e shërbimeve dhe zgjerimin e gamave të shërbimeve.

Ai potencoi se ATK-ja kujdeset që edhe siguria e tatimpaguesve të jetë në nivel, gjë që ja kemi arritur në vazhdimësi, derisa shtoi se rritja e të hyrave që kanë parë gjatë viteve të fundit është dëshmi e potencialit ekonomik që ka vendi ynë. /KosovaPress/

Read Previous

Hovenier për Radoiçiqin: Nuk e di se si do t’i përgjigjet Serbia lëshimit të “Red Notice” nga INTERPOL-i

Read Next

Agjencia për Informim dhe Privatësi, qytetarëve: Kujdes nga faqet e rreme online në emër të bizneseve