Në kohën kur shumë mërgimtarë nisin rrugën drejt Kosovës, autoritetet vendore po bëjnë thirrje që të shmangin kalimin përmes pikë kalimeve kufitare me Serbinë. Arrestimi i ish-policit Arbnor Spahiu në pikën kufitare Serbi-Hungari ka ngritur shqetësim për çka nga institucionet është vlerësuar si veprim arbitrar dhe politik.
Më herët janë arrestuar edhe luftëtarë të UÇK-së, thotë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi.
“Tash e kemi rastin e fundit të ish-pjesëtarit të Policisë së Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiut, i cili është ndaluar dhe është burgosur në Serbi. Të tilla raste ka pasur edhe më herët, janë arrestuar dhe burgosur luftëtarët e UÇK-së, e qytetarë të Republikës së Kosovës. Normalisht, gjatë kalimit nëpër Serbi shumë mërgimtarë janë maltretuar, torturuar e gjëra të tjera. Ne e dimë se e kemi pasur një luftë me Serbinë, dhe është një shtet armik, i cili ka kryer qindra masakra e burgosje, arrestime e shumë gjëra të tjera në Kosovë”, deklaron ai.
Qeriqi thotë se Serbia po vazhdon të maltretojë qytetarët e Kosovës, ku bën thirrje që të shmangen këto pikë kalime kufitare.
“Ky shtet armik [Serbia], po vazhdon të maltretojë qytetarët e Kosovës dhe t’i burgosë ata kushdo që i pengon atij gjatë kalimit nëpër Serbi. Ne edhe në të kaluarën edhe sot iu bëjmë thirrje secilit qytetar të Republikës së Kosovës që t’i shmangin pikave kufitare të Serbisë edhe të gjejnë alternativa të tjera, të gjejnë rrugë të tjera për të ardhur në Kosovë ose anasjelltas. Në të kundërtën secili qytetar i vendit tonë mund të ndjehet i rrezikuar gjatë kalimit nëpër Serbi”, tha Qeriqi.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi. Atij i është shqiptuar masa e paraburgimit një muaj, me pretendimet se ka kryer “vrasje të rëndë”.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se kjo shpërfaq mendësinë dhe qasjen e Serbisë në raport me sulmin terrorist serb në Banjska më 2023.
“Kjo më së miri shpërfaq mendësinë, e cila vazhdon të karakterizojë fqinjin tonë verior, e cila natyrisht në asnjë formë nuk po arrin të shkëputet nga mendësia e vjetër e një shkëputje e tillë natyrisht që nuk mund ta presim për aq kohë sa në krye të këtij shteti është një person i cili me propagandë dhe jo vetëm i ka shërbyer një regjimi gjenocidal. Prandaj, vlerësoj që kjo shpërfaq më së miri qasjen e këtij vendi ndaj Kosovës, shtetasve tanë, por për më tepër në bindjen time sa i përket arrestimit të ish-policit kjo po ashtu shpërfaq edhe një qasje që e ka shteti serb dhe institucionet e saj në raport me ngjarjet e Banjskës dhe në rrjedhë të kësaj, besoj që institucionet ndërkombëtare do të duhej ta zhvendosnin presionin në nivel të Serbisë, sepse tashmë me këtë qasje po vërehet që autoritetet serbe nuk kanë interes për të vendosur drejtësi për ngjarjen tragjike në Banjskë, e cila për pasojë la të vrarë tashmë rreshterin e Kosovës”, deklaron Bajraktari.
Angazhimi i institucioneve në këto raste është i kufizuar, siç thotë ai, megjithatë shton se duhet të angazhohen për shtetasit e vet.
“Institucionet e Kosovës e kanë detyrë që të angazhohen për shtetasit e vet pavarësisht në çfarë raste ndodhen dhe kudo që janë ata. Mirëpo, kemi parasysh faktin që fqinji verior nuk ka gatishmëri, as vullnet për të bashkëpunuar me institucionet edhe për raste të tjera, atëherë vlerësoj që roli dhe angazhimi i institucioneve tona është i kufizuar në drejtim të ndërmarrjes së ndonjë veprimi. Gjithë ajo që mund të bëhet është në masë të madhe, qytetarët e vendit qoftë edhe mërgimtarët, për aq sa është e mundur të shmangin këtë vend”, shprehet Bajraktari.
Arrestimin e qytetarëve nga autoritet serbe, presidentja Vjosa Osmani e ka konsideruar si arbitrar dhe shovinist.
“Arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës. I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani para disa ditëve në rrjetin social Facebook.
Ndërsa, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se po angazhohen për lirimin e Arbnor Spahiut.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, ka shkruar ai.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes pikë kalimeve kufitare me Serbinë.
“Në këto rrethana, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikë kalimeve kufitare me Serbinë dhe në të njëjtën kohë, inkurajohen të gjithë qytetarët që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre. Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, është thënë nga ky institucion./kp