Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kërkoi pozicion politik të ekzekutivit për dialogun me Serbinë.
Ai tha se Kurti në pozitën e kryeministrit ka ndryshuar qëndrime në temën e reciprocitetit, kërkim-faljes së Serbisë ndaj Kosovës si dhe dialogut të brendshëm, para atij të jashtëm.
Abdixhiku para gazetarëve tha se Kurtit në takimin rreth një orësh, i kërkoi qartësim për deklaratat rreth dokumenteve për dialog, kërkesë që t’ia paraqesë Kuvendit qëndrimin zyrtar për dialog dhe ofertën e LDK-së për të njëjtën.
“Ne bëmë një qartësim, një kërkesë dhe një ofertë. Qartësimi ishte mbi dokumentet e dorëzuara te kryeministri. Ne ri konfirmuam edhe një herë se të gjitha dokumentet që ka pasur qeveria e kaluar i janë dorëzuar kryeministrit. Nëse nuk i kanë ose i kanë humbur, mund t’i kërkojnë sërish. Bëmë një kërkesë që kishte të bënte me pozicionin politik që kjo qeveri duhet ta ketë dhe të prezantojë në Kuvend. Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi i qeverisë për dialogun. Po e presim një pozicion të tillë dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që ne mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Kryeministri tashmë ka një dokument, pozicionin politik të LDK-së që ne mendojmë se ai duhet ta trajtojë në Bruksel. Ky dokument përmban parime që janë diskutimi mbi bazën e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues. Gjithashtu, rezultati final duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në BE e NATO”, tha ai.
Abixhiku tha se tani është koha që kryeministri Kurti ta dëshmojë veten mbi temat që sipas tij tashmë ka qëndrim ‘të ri-dizajnuar’.
“Vërejta që kryeministri, jo vetëm për çështjen e reciprocitetit, por edhe shumë tema të tjera që i ka pasur si kauzë ka ndryshuar pozicion në dialog. Por tani është koha e tij të dëshmojë veten dhe Kosovën në këtë përfaqësim… Janë pozicionet e reciprocitetit, kërkim-falja, dialogu i brendshëm para dialogut të jashtëm. Tani janë këto pozicione të ri-dizajnuara të kryeministrit”, tha Abdixhiku.
Krahas kësaj, ai theksoi se LDK nuk do të jetë pjesë e asnjë ekipi negociator, por do të ketë rolin e saj për dialogun në Kuvendin e Kosovës.
“LDK është pjesë e institucioneve të Kosovës dhe është në parlament. Kosova nuk ka nevojë për ekipe negociatore, sepse ajo e ka qeverinë. Ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese që kërkon që qeveria të jetë bartëse e dialogut”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së ndërkaq tërhoqi vërejtjen se nuk duhet të ketë vazhdim të procesit të dialogut në Bruksel pa pjesëmarrjen e SHBA-së.
“Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pra, pa pjesëmarrje të SHBA-së nuk duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e Bashkimit Evropian, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog”, tha ai.
Ky është takimi i dytë i kryeministrit Albin Kurti me liderët opozitarë. Për dallim nga Abdixhiku dhe Haradinaj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj nuk pranoi të takohet me shefin e ekzekutivit.