​Abdixhiku: Propozimi i LDK-së, i vetmi realist

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se propozimi i partisë së tij për një qeveri tranzicionale “mund të mos jetë më i miri” por sipas tij, eshtë “i vetmi realist në Republikën e Kosovës”.

Pasi për të trembëdhjetën herë me radhë dështoi konstituimi i Kuvendit, kreu i LDK-së tha se është e rëndësishme të ketë gjithëpërfshirje.

“Mbi të gjitha, çështja thelbësore është substance e takimit, për çka po takohemi, a po takohemi për të dhënë zgjidhje apo po takohemi për të vazhduar këtë cirk që po ndodh tani”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se askush nuk e ka shumicën në Kosovë dhe “meqenëse askush nuk e ka shumicën dhe nuk mund ta bëjë shumicën, le të ulemi të gjithë bashkërisht të bëjmë një zgjidhje”.

“Ne e kemi dhënë një propozim, ky propozim mund të mos jetë më i miri por është i vetmi realist sot në Republikën e Kosovës. Nëse partitë nuk e duan një propozim të tillë le të vazhdojmë të mblidhemi kështu çdo 48 orë dhe të tallemi me qytetarët e Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai tha se askush nuk duhet të flas për votat e LDK-së.

“Është mirë që askush të mos flas për votat e LDK-së, ta kemi të qartë, kushdo që jep propozime dhe brenda atyre propozimeve i ka votat e LDK-së pa zërin dhe arsyen e LDK-së, pa vendimin e LDK-së, është duke bërë një mashtrim publik. Askush në Kosovë sot nuk e ka shumicën, kjo është e vërteta. Kemi dalur me propozim, me propozim të hapur, ftesë të hapur partive politike, që të ulemi dhe të kapërcejmë këtë gjendje, nëse janë të gatshmen këtu jemi, nëse nuk janë të gatshëm do të vazhdojmë”, shtoi ai.

Ai tha se LDK-ja “nuk e ka brengë protagonizmin” dhe sipas tij, iniciativë mund të marrë edhe dikush tjetër.

“Ne kemi bërë thirrje për gjithëpërfshirës, andaj natyrisht që po, nuk mund të bëjmë ftesë për gjithëpërfshirje në njërën anë dhe më pas të refuzojmë një fasilitim. Nuk është brenga jonë protagonizmi, bën të marrë iniciativë edhe dikush tjetër, ne kemi lansuar një ide, substanca është me rendësi”, tha ai.

Deputetët dështuan të premten më 9 maj, për të trembëdhjetën herë me radhë, të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së kërkoi sërish që kryetari i Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë, por kjo u kundërshtua nga partitë e tjera.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po arrijnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare. /KosovaPress/

Read Previous

3 muaj nga zgjedhjet, Kuvendi i Kosovës ende i pakonstituuar

Read Next

Presidentja Osmani shkon në Zvicër për vizitë zyrtare