Paga minimale që parashihet me planin qeverisës të rritet nga 170 në 250 euro pritet të sjellë pakënaqësi te veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pasi nuk pritet të rriten edhe pensionet e tyre që parashihte dikur Ligji për Veteranët.
Ligji i miratuar më 2014 përkatësisht neni 18, parasheh lartësinë e shumës së pensioneve për këto kategori, ku ishte vendos që mos të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë.
Megjithëse, sipas zyrtarëve të Qeverisë Kurti 2, neni 18 i këtij ligji është shfuqizuar në vitin 2017 me ndryshimet ligjore të ligjit për veteranët dhe me këtë ndryshim nuk pritet të ketë rritje të pensioneve për këto kategori.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku nuk ka njohuri për këto ndryshime ligjore.
Ai pohon për KosovaPress se Ligji e specifikon qartë që veteranët nuk mund të kenë pensionet më të vogla se pagën minimale, dhe siç thekson ai nëse ndryshohet ligji, veteranët do të organizojnë protesta.
Për këtë çështje, edhe dy ish-ministra të Financave, tashmë deputetë të opozitës, po kërkojnë sqarime nga Qeveria Kurti për një kosto shtesë prej 36 milionë euro që ndërlidhen edhe pensionet e veteranëve.
Ish-ministri i Financave nga PDK, Bedri Hamza, i cili nuk është i njohur me ndryshimet ligjore thotë se rritja e pagës minimale është e mirëseardhur, por shton se kjo do të ketë kosto shtesë, siç thotë ai prekë edhe ligjin për veteranët.
Edhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka kërkuar ta di se a do ta rriten edhe pagesat e veteranëve me rritjen e pagës minimale në 250 euro.
Në anën tjetër, ndaj tyre ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili thotë se ka zbuluar një paradoks nga ish-Qeveria LDK-PDK (2017), e cila sipas tij ka shfuqizuar nenin 18 të Ligjit për veteranët që thirret në pagën minimale.
Ministri Murati lë të kuptohet se nuk do të ketë rritje të këtyre pensioneve në kuadër të rritjes së pagës minimale.
Ligji për veteranët ka hyrë në fuqi në vitin 2014, ndërsa ndryshimet ligjore janë bërë në fund vitit 2016, ndërsa në gazetën zyrtare është publikuar më 2017.
Aktualisht mbi 30 mijë veteranë të luftës së fundit marrin pensione nga buxheti i shteti ose mbi 60 milionë euro në vit. Për këtë kategori, ka pasur edhe proces gjyqësor./KosovaPress