​Rritja e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës po heton tregun e bukës dhe gastronomisë

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës (AKK) ka nisur një hetim për monitorimin e tregut vendor, pas shqetësimeve të qytetarëve dhe raportimeve në media për rritje të çmimeve për produktet e shportës bazike, bukës, kafesë dhe produkeve tjera.

Autoriteti tani po zhvillon një analizë të thelluar për mbi njëzet produkte ushqimore në tregun e Kosovës, për të identifikuar arsyet reale të rritjeve të çmimeve.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Departamentit të Analizës dhe Metodologjisë në AKK, Adrian Mustafa thekson në një intervistë për KosovaPress se një vëmendje të veçantë po i kushtohet sektorit të bukës dhe gastronomisë, ku çmimi i kafesë ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Mustafa sqaron se, nëse gjatë analizës identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë masa ligjore në përputhje me kompetencat e tij.

“Për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe raportimeve të shumta në media, Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregjeve ku ka shqetësime. Aktualisht është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve ushqimore. Do të thotë produkteve bazë ushqimore për të analizuar edhe arsyejet e ngritjes së çmimit të tyre. Gjithashtu në kuadër të shqetësimeve që i kemi pranuar, ka filluar edhe monitorimi i tregut të bukës, d.m.th, autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e çmimit të produkteve, do të thotë, në këtë rast të bukës në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Në kuadër të kësaj, përpos bukës kemi filluar me monitorimin e tregut. Është një monitorim edhe në produktin e kafes, edhe tek kafja e kemi pas një shqetësim, në sektorin e gastronomisë, me theks të veçantënë rritjen e çmimit të kafesë, është në vëzhgim prej autoritetit. Inspektorët e autoritetit çdo ditë tani më janë në terren dhe po zhvillojnë në qytete të ndryshme intervista dhe po mbledhin të dhëna prej ndërmarrjeve për arsyejet e ngritjes së këtyre çmimeve”, thotë Mustafa.

Mustafa nënvizoi se institucioni që ai përfaqëson nuk ka mandat për të ulur apo përcaktuar çmime, por sipas tij është përgjegjës për të ndërhyrë kur këto çmime vendosen në mënyrë të paligjshme apo të bashkërenduar.

“Pas përfundimit të analizës dhe grumbullimit të këtyre informatave si në sektorin e gastronomisë, atë të bukës, por edhe në sektorët tjerë që nuk do të jenë të përjashtuar, nëse identifikohen shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, atëherë Autoriteti do të ndërmerr veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me kompetencat që kemi. Autoriteti nuk ka mandat t’i përcaktojë çmimet ose t’i ulë çmimet e ndërmarrjeve, por e ndërhymë kur çmimet përcaktohen nëmënyrë të bashkërenduar, ose artificiale nga ndërmarrjet konkurrentë në kundërshtim me nenin pesë të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Do të thotë në këtë rast janë dy nene të ligjit tonë që neve na involvojnë me reaguar kur kemi dyshime për fiksim ose ndonjë shkelje të ligjit për mbrojtjentë konkurrencës. Është neni pestë i ligjit për mbrojtjen e konkurrencës që janë marrëveshjet e ndaluara. Marrëveshjee ndaluar është një nga format kur ndërmarrjet shkelin ligjin për mbrojtjen konkurrencës duke u dakrodu me konkurrentet për me i fiksu çmimet, mi nda tregjet ose forma të ndryshme të marrëveshjeve të ndaluara”, shprehet Mustafa.

Në kuadër të kësaj, ai përmend edhe nenin nëntë, që ndalon keqpërdorimin e pozitës dominuese, veçanërisht kur një kompani me mbi dyzet për qind të tregut shet me çmime nën kosto për të dëmtuar ose larguar konkurrentët.

“Është neni nëntë, keqpërdorimi i pozitës dominuese, kur një kompani me pozitë dominuese mbi dyzet për qind e keqpërdor atë pozitë dominuese për me i dëmtua konkurrentët tjerë. Njëra prej formave të keqpërdorimit të pozitës dominuese është edhe kur një kompani shet me çmim nën kosto për t’i dëmtuar ose larguar konkurrentët e tyre prej tregu”, shton Mustafa.

Në fund, ai sigurun qytetarët se Autoriteti mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e konkurrencës, konsumatorit dhe funksionimit të drejtë të tregut.

“Si institucion i ndërmarrim veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me kompetencat që i kemi…Autoriteti mbetet i përkushtuar për me mbrojt konkurrencën, konsumatorin dhe funksionimin e drejtë të tregut”, përfundon Mustafa.

Rritja prej 16.1 për qind e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë ka shkaktuar një valë të re të inflacionit, duke ndikuar në ngritje të çmimeve për produktet bazike të vendit.

KosovaPress ditë më parë raportoi se shtrenjtimii rrymës ka ndikuar në ngritjen e çmimeve për disa produkte esenciale, përfshirë produktet e bukës dhe kafesë deri në pesëdhjetë përqind. /KosovaPress/

Read Previous

Britania pret sot liderë të BE-së

Read Next

Kallas këtë javë viziton Kosovën