Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur sot aktakuzë ndaj të pandehurve M.P., dhe L.H., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale trafikimi me njerëz dhe shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit.
Sipas aktakuzës, M.P., gjatë periudhës qershor-korrik 2021 në Prizren, merr pjesë në trafikimin me njerëz, duke rekrutuar, strehuar dhe pranuar viktimën e mitur në një klub nate në Prizren, në mënyrë që e njëjta të punojë si “valltare” apo “shoqëruese e klientëve”, duke e detyruar të ofrojë shërbime seksuale.
Në këtë mënyrë i pandehuri M.P., ka kryer veprën penale trafikimi me njerëz, ndërsa i pandehuri i dytë L.H., veprën penale shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./kp