​Kiçmari: Nga shtatori Kosova mund të aplikojë për pranim në organizata ndërkombëtare

Nga shtatori Kosova është e lirë të procedojë me kërkesat për pranim në organizata ndërkombëtare, aty ku vlerëson se është në interes për shtetin. Kështu thotë drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Sabri Kiçmari, i cili shton se megjithatë veprime të tilla duhet të ndërmerren në pajtim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike të Kosovës që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Në një intervistë për KosovaPress, ish-ambasadori Kiçmari flet për sfidat e Kosovës në politikën e jashtme dhe prioritet që ai ka derisa drejton akademinë.

Me marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020, Kosova ishte pajtuar që për një vit të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ky zotim ishte bërë në këmbim që Serbia të ndalë fushatën e saj kundër njohjes së Kosovës nga shtete të ndryshme.

Diplomati Sabri Kiçmari thotë se me të përfunduar afati i saj në shtator të këtij viti, Kosova mund të fillojë me procedim për anëtarësim aty ku vlerëson se është në interes të shtetit.

Me të marrë detyrën në krye të Ministrisë së Jashtme, Donika Gërvalla kishte shkarkuar 12 ambasadorë, të emëruar politik, kthimi i të cilëve ka thënë se do të bëhet deri më 30 gusht të këtij viti.

Kiçmari thotë që ambasadorët e rinj duhet të emërohen sipas ligjit, i cili para sheh 50% e tyre të jenë të karrierës ndërsa 50% të tjerë të emëruar politik.

Kryetari i Akademisë Diplomatike të Kosovës thotë se ky institucion do ketë programe trajnimi për ambasadorët e rinj që do të emërohen, me qëllim të përgatitjes së tyre për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.

Duke folur për pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ish-ambasadori Kiçmari thotë se vendi nuk qëndron dobët dhe pavarësisht reagimit të ashpër nga Serbia, Kosova ka arritur të sigurojë njohje dhe anëtarësim në organizata të rëndësishme.

Diplomati Kiçmari thotë se përpjekjet e Serbisë për të penguar ecjen përpara të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të vazhdojnë por sipas tij Kosova e ka të sigurt vendin në grupin e shteteve demokratike dhe duhet të sillet si shtet i përgjegjshëm.

Derisa flet për rolin e Akademisë Diplomatike të Kosovës, Kiçmari thotë se ky institucion në vazhdimësi do të përgatisë analiza të cilat do t’ia ofrojnë ministres së Jashtme dhe Zyrës së Kryeministrit, lidhur me veprime të caktuara që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe diplomacinë.

Ai bën të ditur se akademia do të organizojë dy konferenca shkencore në vit në të cilat do të ftojë studiues e shkencëtarë lidhur me politikën e jashtme dhe diplomacinë. Një e tillë është mbajtur këtë javë në Prishtinë, me temën “Politika e jashtme e Kosovës – një qasje proaktive“./KosovaPress

Read Previous

Policia nuk lejon alpinistët të vizitojnë Malet e Sharrit

Read Next

PSG fiton garën për Hakimin