​Spanja dhe Maroku përplasen për finalen e Botërorit 2030

Një përplasje e re ka shpërthyer mes Marokut dhe Spanjës për finalen e Kupës së Botës 2030, pasi presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, ka deklaruar se ndeshja e madhe do të zhvillohet në stadiumin e ri Hassan II, në Benslimane, pranë Kazablankës.

“Provinca e Benslimane do ta ketë nderin të presë finalen e Kupës së Botës 2030”, ka deklaruar Lekjaa gjatë një aktiviteti politik në Marok, duke e paraqitur vendimin si të kryer.

Por FIFA ka reaguar duke sqaruar se ende nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për stadiumin që do të presë finalen. Organizata ndërkombëtare ka përsëritur se vendimi do të merret “në kohën e duhur”, ndërsa më herët i kishte mohuar raportimet se Gianni Infantino i kishte premtuar Marokut organizimin e finales.

Spanja gjithashtu pretendon të drejtën për finalen. Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, ka thënë se Spanja, si kampione aktuale e botës në futbollin e meshkujve dhe femrave, duhet ta presë ndeshjen për trofeun. Santiago Bernabéu i Real Madridit dhe Camp Nou i Barcelonës janë ndër opsionet që mund të ofrojë Spanja.

Në anën tjetër, Maroku po ndërton stadiumin Hassan II në Benslimane, rreth 60 kilometra nga Kazablanka. Arena pritet të ketë kapacitet prej rreth 115 mijë tifozësh dhe, nëse përfundon sipas planit, do të jetë stadiumi më i madh në botë i ndërtuar ekskluzivisht për futboll.

Përplasja merr edhe një dimension tjetër për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes Spanjës dhe Marokut. Ndërkohë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka ruajtur marrëdhënie të afërta me autoritetet marokene, ndërsa FIFA ka mohuar çdo marrëveshje të fshehtë për finalen.

Kupa e Botës 2030 do të organizohet kryesisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshjet hapëse të Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait do të zhvillohen në Amerikën e Jugut, në kuadër të festimit të 100-vjetorit të Botërorit. /KosovaPress/

Read Previous

​Ministria e Infrastrukturës nis hartimin e planeve mujore për mirëmbajtjen e rrugëve

Read Next

​Rutte: Gjermania po udhëheq transformimin më të madh të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë